Lidhje

Shtëpia e Bardhë publikon raportin mbi përgjimet

  • Zllatica Hoke

Shtëpia e Bardhë publikoi raportin e një komisioni ekspertësh të pavarur rreth praktikave të zbulimit amerikan. Rekomandimet e këtij raporti pritet të shërbejnë si bazë për të reformuar procedurat e ndjekura nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA). Presidenti Barack Obama u takua dje me anëtarë të grupit analizues, për të diskutuar mbi 46 rekomandimet që ata bënë mbi mënyrat se si të ndryshohen praktikat e amerikane të përgjimit.

Administrata e Presidentit Obama ka thënë se po shqyrton mënyra se si të përdorë më së miri aftësitë e saj të grumbullimit të informacionit në interes të sigurisë kombëtare të SHBA-së, pa cenuar në mënyrë të panevojshme liritë civile dhe privatësinë personale.

Grupi i eksertëve rekomandon mbrojtje më të mirë të lirive civile dhe një analizë të kujdesshme të pasojave të grumbullimit të informacioneve. Raporti gjithashtu bën thirrje për mbrojtjen e privatësisë të shtetasve jo-amerikanë.

Stephen Vladack, profesor i së drejtës në Universitetin Amerikan në Uashington, thotë se kjo është e rëndësishme pasi as qytetarët amerikanë jashtë vendit nuk mbrohen nga kushtetuta amerikane.

"Mendoj se një çështje e rëndësishme për ata që nuk janë shtetas amerikanë dhe që ndodhen jashtë kufijve të Shteteve të Bashkuara është gjetja e mënyrave për të përmirësuar mbrojtjen e privatësisë dhe kufizimet e kompetencave për përgjime, të cilat nuk trajtohen nga normat Kushtetuese. Duhet parë nëse Kongresi mund të bëjë ligje me masa mbrojtëse më të forta që sigurojnë që NSA-ja të mos grumbullojë çdo informacion që mundet, por të mbledhë informacion vetëm kur ka një arsye për ta bërë këtë."

Në Shtëpinë e Bardhë, zëdhënësi Jay Carney tha se presidenti Obama nuk do të marrë ndonjë vendim të menjëhershëm në lidhje me raportin prej 300 faqesh.

"Ai nuk do të bëjë gjykime të nxituara. Ai do ta shohë dhe do ta vlerësojë atë. Shqyrtimi i raportit nga ana jonë nuk do të përfundojë deri në janar. Pas kësaj, Presidenti do të ketë më shumë për të thënë në lidhje me të dhe në lidhje me rezultatet e kësaj pune."

Komisioni i këshilltarëve të pavarur punoi nën drejtimin e shefit të Zbulimit Kombëtar për të analizuar praktikat e NSA-së, pas akuzave të ish-kontraktorit Edward Snowden se agjencia kishte mbledhur të dhëna mbi bisedat telefonike të qytetarëve. Zoti Carney pranoi se publikimi i informacioneve nga Snowden pati pasoja. Por ai tha se Presidenti kërkoi analizimin e politikave të zbulimit me qëllim bërjen e ndryshimeve në programin e mbikqyrjes së SHBA-së.

"Ndryshimet do të jenë të rëndësishme. Por ne theksojmë se puna që është bërë nga NSA-ja dhe agjenci të tjera të zbulimit është jetike për sigurinë e Shteteve të Bashkuara, të popullit amerikan dhe të aleatë tanë. Ne nuk do të kompromentojmë punën që bëjmë në emër të sigurisë së Shteteve të Bashkuara."

Presidenti Obama i mbrojti programet amerikane të përgjimit gjatë një fjalim në gusht, menjëherë pasi Edward Snowden publikoi disa nga dokumentet që dyshohet se ka marrë nga NSA-ja.

"Dua të qartësoj edhe një herë se Amerika nuk është e interesuar të përgjojë njerëzit e zakonshëm. Programet tona të zbulimit përqendrohen në gjetjen e informacionit të nevojshëm për të mbrojtur popullin tonë dhe shpesh për të mbrojtur aleatët tanë."

Por zoti Obama premtoi transparencë më të madhe mbi mënyrat se si këto sisteme përgjimi përdoren.

Snowden tani ndodhet në Rusi. Ai kërkohet nga Shtetet e Bashkuara me akuza për spiunazh, por mbështetësit e tij përshëndesin veprimin e tij që nxiti një diskutim global mbi praktikat e sigurisë, të cilat prekin qytetarët e zakonshëm - një diskutim që shumë njerëz e konsiderojnë të vonuar.
XS
SM
MD
LG