Lidhje

Shtëpia e Bardhë: Duhen bashkërenduar hapat e ardhshëm kundrejt Libisë


Lá mùa thu
Lá mùa thu

Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera përgatiten për një reagim të bashkërenduar ndaj Libisë, Presidenti Barak Obama vazhdon të pranojë njoftime të rregullta për gjendjen në vendin afrikanoverior.

Drejtuesit e Këshillit të Sigurisë Kombëtare që u takuan dje përfshijnë zyrtarë nga departamentet e shtetit dhe të mbrojtjes, krerët e shtatmadhorisë dhe nga Agjencia Qendrore e Zbulimit.

Por Sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Xhej Karni, e bëri të qartë se mbledhja nuk pritej të nxirrte vendime apo rekomandime që kërkojnë veprimin e presidentit.

“Ne nuk ndodhemi në një pikë vendimarrëse. Ne jemi duke shqyrtuar këto opsione. Ne vazhdimisht po shqyrtojmë vendosjen e ndalim-fluturimit dhe jemi të përkushtuar në mënyrë që zgjedhjet të bëhen dhe të zbatohen në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë”.

Sekretari i Mbrojtjes Robert Gejts pritet të marrë pjesë sot në një takim të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, që do të përqendrohet në përgatitjet për një reagim të ngutshëm dhe rreth ndihmave humanitare në Libi.

Duke folur për ato që i quajti hapa “dramatike” të marra nga Shtetet e Bashkuara dhe bashkësia ndërkombëtare, përfshirë sanksionet kundër Libisë, zoti Karni tha se nuk ka afat kohor për vendime të mëtejshme. Por ai theksoi rëndësinë e veprimeve të bashkërenduara.

“Ky është një mesazh i fuqishëm për popullin e Libisë, për regjimin libian dhe për njerëzit në rajon se këtë nuk po e bëjmë për Shtetet e Bashkuara, nuk po e bëjmë për fuqitë perëndimore apo fuqitë evropiane, por për popujt e rajonit dhe në këtë rast popullin e Libisë”.

Udhëheqësi libian Muamer Gadafi ka paralajmëruar kundër çfarëdo përpjekjeje për të zbatuar një ndalim fluturimi mbi vendin e tij, duke thënë në një intervistë televizive se si rrjedhojë libianët do të rrokin armët kundër vendeve perëndimore.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Xhej Karni bëri dallim midis asaj që e quajti ecuri përgatitore për të papriturat e mundshme përmes vlerësimit të mundësive dhe përcaktimit të gjuhës diplomatike dhe një vendimi nga ana e bashkësisë ndërkombëtare që të ndjekë një rrugë të caktuar për veprim.

Zoti Karni tha se Shtetet e Bashkuara parapëlqejnë të punojnë me Kombet e Bashkuara, NATO-n dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë rreth mundësive që po shqyrtohen. Ai ritheksoi qëndrimin e Presidentit Obama se Muamer Gadafi ka humbur legjitimitetin për të qeverisur dhe se duhet të japë dorëheqjen.

XS
SM
MD
LG