Lidhje

Shtëpia e Bardhë i kërkon Sirisë të ndalë përfundimisht dhunën

  • Zëri Amerikës

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thonë se armëpushimi i pjesshëm që ka filluar në Siri është më mirë se sa asnjë armëpushim, por ata shprehen se ai nuk është i mjaftueshëm. Zyrtarët thonë se qeveria siriane nuk po vepron plotësisht në përputhje me planin e paraqitur nga ish Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan.

Forcat qeveritare siriane duket se kanë ndalur sulmet ndaj opozitës. Por ka patur ende incidente të dhunshme dhe qeveria nuk pranoi kërkesën për të tërhequr trupat brenda kazermave të tyre.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, u tha gazetarëve se kjo është e papranueshme.

"Ndërkohë që ka shenja të një armëpushimi paraprak që po vazhdon edhe në këto momente, kjo nuk është e njëjta gjë me implementimin e plotë të angazhimeve që regjimi i Presidentit Assad ndërmori 12 ditë më parë, kur tha se do të zbatonte planin e zotit Annan."

Zëdhënësi Carney, ashtu si zoti Annan më parë, tha se qeveria siriane ka dështuar në zbatimin e një pjese të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga ish kreu i OKB-së.

"Mesazhi ynë për regjimin e zotit Asad është: Ndalni vrasjen e popullit tuaj. Ndalni dhunën. Angazhohuni për një armëpushim. Angazhohuni plotësisht për të zbatuar planin e zotit Annan. Tërhiqni trupat. Tërhiqni materialet dhe armët tuaja nga qendrat me popullsi urbane."

Më herët, sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton tha se Presidenti sirian Bashar al-Assad nuk mund "të veçojë dhe zgjedhë" cilat pjesë të marrëveshjes ai dëshiron të pranojë e cilat jo.

Ajo gjithashtu tha se Uashingtoni e mbështet dërgimin e një misioni të OKB-së në Siri, për të monitoruar zbatimin nga ana e qeverisë siriane të planit të të dërguarit Kofi Annan.

XS
SM
MD
LG