Lidhje

Shtëpia e Bardhë, Kongresi amerikan reflektojnë për incidentin e Arizonës

  • Xhim Malone
  • Uashington

Shtëpia e Bardhë, Kongresi amerikan reflektojnë për incidentin e Arizonës

Shtëpia e Bardhë, Kongresi amerikan reflektojnë për incidentin e Arizonës

Presidenti Barak Obama dhe anëtarë të Kongresit udhëhoqën vendin në një moment heshtjeje për të nderuar ata që humbën jetën, ose u plagosën kur një person hapi zjarr të shtunen në Arizona, duke lënë të plagosur rëndë anëtaren e Kongresit, Gabriel Gifords. Pas kësaj ngjarjeje është ngritur pyetja nëse toni i nxehtë i debatit politik vitet e fundit mund të ketë kontribuar në ndonjë farë mase tek tragjedia.

Presidenti Obama dhe Zonja e Parë Mishelë Obama qëndruan në heshtje në Shtëpinë e Bardhë, ashtu si edhe gjithë vendi.

Jo shumë larg, në ndërtesën e Kongresit, anëtari demokrat i Kongresit Emanuel Kliver i Mizurit, një prift metodist bëri një lutje në emër të ligjvënësve dhe personelit të Kongresit.

“Ne duam që shpirti I këtij vendi të bekohet. Duam të largohemi nga errësira drejt dritës dhe shpresës”.

Më pas në Shtëpinë e Bardhë Presidenti Obama shprehu shpresën se amerikanët do të bashkohen pas tragjedisë së Arizonës.

“Në ditët që vijnë, do të kemi mundësi të reflektojmë. Tani, gjëja kryesore është që të mbajmë në mendimet dhe lutjet tona ata që janë prekur, t’i qëndrojmë pranë njëri-tjetrit dhe të bashkohemi si vend”, - tha Presidenti.

Ngjarja e të shtunës ku humbën jetën gjashtë vetë dhe u plagosën anëtarja e Kongresit dhe disa të tjerë ka ngjallur një diskutim kombëtar, që shpesh herë është kthyer në debat duke ngritur pyetjen nëse retorika e ashpër politike, që është bërë aq e zakonshme në Shtetet e Bashkuara, po kontribuon në krijimin e kushteve për akte të dhunshme.

Xhorxh Miller është ish-kryetar Bashkie i qytetit Tuson të Arizonës, ku ndodhi ngjarja. Miller thotë se beson se atmosfera shpesh e pakëndshme politike në vend ka shumë mundësi të ketë ndikuar tek i riu që hapi zjarr, Xhared Lafner.

“Mendja e këtij të riu që është e qartë që ka probleme, ushqehet nga kjo lloj urrejtjeje, nga ky lloj toni që vëmë re në fushatë që nuk pushon dhe kjo më ngjall frikë për vendin tonë”.

Por nuk ka prova se djali i ri e kreu këtë akt për ndonjë arsye politike.

Senatori republikan nga Arizona foli në emisionin televiziv Face the Nation në CBS:

“Ne nuk e dimë se cfarë e motivoi këtë të ri, dimë vetëm se ishte i paqëndrueshëm mendërisht. Më duket se e ekzagjerojmë nëse mendojmë se ai ka një filozofi të qartë politike që e drejton”.

Eksperti politik Lerri Sabato i Universitetit të Virxhinias thotë se nuk është i befasuar që një debat për atmosferën politike në vend është ndarë në vija partiake.

“Fajësimi dhe akuzat janë shembuj të mjedisit që është krijuar. Kjo është pjesë e polarizimit të sotëm. Është vetëm konfirmim i faktit që njerëzit kanë pikëpamje të konsoliduara dhe interpretojnë çdo zhvillim të ri, në bazë të bindjeve ekzistuese”.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Xhon Bejnër dhe shumë politikanë të tjerë nga të dyja partitë ashtu si edhe Presidenti i kanë kërkuar amerikanëve që të bashkohen pas asaj që ndodhi në Arizonë.

Senatori demokrat nga Nju Jorku, Carls Shumer thotë se një moment reflektimi për debatin politik në vend do të ishte i vlefshëm:

“Dhe kur ndodh një gjë e tillë, nuk është vetëm një tragjedi e tmerrshme pë ata që humbin jetën ose plagosen, por shkakton një drithërimë në politikë duke na nxitur ndoshta që të bashkohemi”.

Debati politik pritet të intensifikohet pas tragjedisë së Arizonës, vecanërisht për çështje si kontrolli i armëmbajtjes dhe nëse masat e sigurisë për anëtarët e Kongresit duhet të forcohen.

Por eksperti Lerri Sabato thotë se amerikanët duhet gjithashtu të reflektojnë për natyrën e debatit politik dhe nëse të gjitha palët duhet të tregojmë më shumë vetëpërmbajtje dhe respekt për pikëpamjet e njëri-tjetrit.

“Nuk besoj se do të kishte njeri që të thoshte se është gabim të inkurajosh njerëzit që të jenë më të përmbajtur dhe t’i largohen terminologjisë që ngjall dhunë. Nëse kjo është një nënprodukt I kësaj tragjedie, do të ishte një anë positive e kësaj reje që në të gjitha drejtimet e tjera është e errët”.

Udhëheqësit e Kongresit kanë shtyrë një debat të planifikuar për këtë javë për shfuqizimin e reformës shëndetësore të Presidentit Obama. Debati I vitit të kaluar për këtë reformë në Kongres shkaktoi një sërë takimesh të tensionuara me elektoratin në vend, ku disa anëtarë të Kongresit ishin objekti i zemërimit të votuesve.

XS
SM
MD
LG