Lidhje

Shtëpia e Bardhë mbron reagimin amerikan ndaj trazirave në Libi


Shtëpia e Bardhë mbron reagimin amerikan ndaj trazirave në Libi
Shtëpia e Bardhë mbron reagimin amerikan ndaj trazirave në Libi

Zëdhënësi i presidentit Obama e hodhi poshtë të martën se Shtetet e Bashkuara po veprojnë shumë ngadalë kur flitet për reagimin ndaj dhunës në Libi. Sikurse na njeh materiali në vazhdim, presidenti mund të flasë të enjten mbi situatën ndërkohë që ai dhe presidenti meksikan që vjen për vizitë në Shtepinë e Bardhë do të flasin për shtypin.

Zëdhënësi i Shtepisë së Bardhë Jay Carney tha se zhvillimet në Libi po lëvizin me shpejtësi të madhe dhe se administrata e presidentit Obama po vepron me të njëjtën shpejtësi.

“A do ta kishte parashikuar ndokush dy apo tre javë më parë që kolonel Gadhafi do të ishte në këtë pozitë që është tani, ku pjesë të mëdha të vendit nuk janë më nën kontrollin e regjimit, ku i terë komuniteti ndërkombëtar, përfshi vendet arabe, janë rreshtuar kundër tij dhe e kanë quajtur atë të jashtëligjshëm dhe jo të besueshëm.”

Zëdhenësi Carney u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara kanë bërë mjaft si e vetme dhe po punon me partnerët si Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara për të reaguar ndaj dhunës në Libi.

Zëdhenësi i Shtëpisë së Bardhë tha se sanksionet amerikane të vëna të premten, kanë çuar në ngrirjen e 30 miliard dollarëve të udhëheqësit Gadhafi.

I pyetur mbi anijet amerikane të luftës të dërguara në Kanalin e Suezit dhe Detin Mesdhe, zoti Carney tha se Uashingtoni po përgatitet për situatën, përfshi ndihmat humanitare. Ai tha se administrata nuk po përjashton asnjë alternativë.

Zëdhenësi Carney nuk tha nëse dhe kur presidenti Obama mund të mbante një fjalim mbi trazirat në Lindjen e Mesme. Por ai tha se presidenti mund të flasë për situatën të enjten, kur ai dhe presidenti meksikan Felipe Calderon që pritet nga zoti Obama, do të flasin me gazetarët në Shtepinë e Bardhë.

“Ka shumë mënyra që presidenti ka trajtuar, mundet dhe do të trajtojë ato që po ndodhin në Lindjen e Mesme. Deri tani ka folur rreth katër herë për këtë çështje dhe do të flasë përsëri. Besoj se mund ta trajtojë këtë çështje të enjten gjatë vizitës me presidentin e Meksikës.”

Zëdhenësi Carney gjithashtu reagoi ndaj dekleratave të presidentit të Jemenit Ali Abdullah Sale që administrata e presidentit Obama po punon sëbashku me Izraelin për të destabilizuar botën arabe.

“E kemi bërë të qartë për udhëheqjen në Jemen, sikurse e kemi bërë të qartë edhe për udhëheqjen në vende të tjera, se ata duhet të përqendrohen tek reformat politike që duhet të zbatojnë si reagim ndaj aspiratave legjitime të popujve të tyre. Ne nuk besojmë se fajësimi i dikujt tjetër për situatën është ai lloj reagimi që popullit të Jemenit dhe popujt e vendeve të tjera do t’u pëlqente.”

Zëdhënësi i presidentit Obama tha po ashtu se është e qartë se trazirat në Lindjen e Mesme nuk janë frymëzuar nga al-Qaida, sikurse kanë pohuar disa udhëheqës në rajon.

“...faktikisht është një lëvizje demostrative brenda rajonit dhe e tëra është kundër atyre që përfaqëson al-Qaida dhe ndaj metodave që përdor ajo për të sjellë ndryshime. Demostratat paqësore dhe jo të dhunëshme, pluraliste dhe jo sektare nuk janë pjesë e ideologjisë së al-Qaidës.”

Zoti Carney tha se Shtetet e Bashkuara po i zgjatin dorën udhëheqjes opozitare që janë të interesuara për të krijuar një qeveri që respekton të drejtat dhe plotëson aspiratat e popullit. Ai tha se zyrtarët amerikanë po përdorin si kanalet diplomatike ato të biznesit si dhe organizatat joqeveritare për zhvilluar këto diskutime.

XS
SM
MD
LG