Lidhje

Shtepia e Bardhë thekson pakënaqësitë me Kinën dhe Rusinë mbi votën për Sirinë


Shtepia e Bardhë thekson pakënaqësitë me Kinën dhe Rusinë mbi votën për Sirinë
Shtepia e Bardhë thekson pakënaqësitë me Kinën dhe Rusinë mbi votën për Sirinë

Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara punojnë me partnerët e tyre ndërkombëtar për të shtuar presionin ndaj presidentit Assad, përfshi planin e ri për grupin “Miqtë e Sirisë, Shtëpia e Bardhë vazhdon të shprehë pakënaqësinë lidhur me Kinën dhe Rusinë.

Pas vetos ndaj rezolutës së Këshillit të Sigurimit të shtunën, ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara Susan Rice, tha se Shtetet e Bashkuara ishin të indinjuara nga votat, për të cilat tha se ndaluan vendet anëtare që të trajtonin krizën që po thellohet në Siri dhe kërcënimin në rritje ndaj paqes dhe sigurisë rajonale.

Në konferencën për shtyp në Shtëpinë e Bardhë të martën, sekretari i shtypit Jay Carney u pyet nëse zoti Obama do të përdorte të njëjtën gjuhë që kishte përdorur ambasadorja Rice. Ai tha se ndjenjat që kishte shprehur zonja Rice, reflektojnë zhgënjimin e madh me Kinën dhe Rusinë.

“Ndjenjat që ambasadorja po shprehte reflektojnë zhgënjimin tonë të madh me pozitën e ndërmarrë. Ne do të vazhdojmë të kemi diskutime me të gjithë partnerët tanë ndërkombëtar në Këshillin e Sigurimit dhe gjetkë, dhe do të vazhdojmë të punojmë me të tjerët, “Miqtë e Sirisë” për të ushtruar presionin e duhur ndaj qeverisë së Assadit.”

Zoti Carney po ashtu u pyet lidhur me komentet që ka bërë në Kongresin amerikan senatori i pavarur Joseph Lieberman për Sirinë. Duke folur për shtypin, zoti Lieberman tha se besonte se komuniteti ndërkombëtar ka nevojë të ndërmarrë veprime të mençura, përfshi armatosjen e Ushtrisë së Lirë Siriane.

“Një nga gjerat që shpresoj që grupi ndërkombëtar i kontaktit do të bëj është ndihma për Ushtrinë e Lirë Siriane. Mund të fillojë me ndihma mjekësore, trajnim dhe informacione zbulimi. Përfundimisht nuk do të hezitoja furnizimin me armë, sepse ushtria e Assadit po përdorë armët për të vrarë popullin sirian, kështu që mbrojtësit e popullit sirian kanë nevojë për armë.”

Sekretari i shtypit Carney tha se Shtetet e Bashkuara nuk po shqyrtojnë armatosjen e opozitës, për momentin. Ai foli për tematikën e diskutuar me grupin “Miqtë e Sirisë”.

“Ne po shqyrtojmë mundësinë e ndihmave humanitare për sirianët dhe po punojmë me partnerët tanë, për të shtuar presionin dhe izolimin e Assadit dhe regjimit të tij.”

Zëdhënësi i presidentit Obama nuk pranoi të futej në detaje rreth atyre që janë diskutuar përveçse ndihmave humanitare. Lidhur me vizitën në Damask nga Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov, zoti Carney tha se Rusia duhet ta kuptojë se “mbështetja e plotë për Assadin është një recetë për dështim.”

XS
SM
MD
LG