Lidhje

Shtëpia e fantazmave në Virxhinia


Këtë të premte me 31 tetor është Halloween - një ditë kur thuhet se shpirtrat e të vdekurve ecin mbi tokë. Aktivitetet festive në SHBA përfshijnë fëmijë të veshur me kostume që shkojnë derë më derë për të marrë karamele, festa me kostume Halloween-i dhe zbavitje në Shtëpitë e Frikës, si një rezidencë në Leesburg, të Virxhinias. Ajo ndodhet në Qendrën Paxton, ku ka disa programe për fëmijët në nevojë dhe familjet e tyre, të cilat ky park lojërash të frikshme i ndihmon duke mbledhur fonde dhe duke sjellë mijëra vizitorë çdo vit. Edhe nëse disa nga gjërat në këtë Shtëpi mund të duken reale, asnjë prej tyre nuk është.

Në një banesë 140 vjeçare tregohet një histori, rreth familjes së etur për gjak Carver. Njëqind vjet më parë, ata ishin dëbuar nga ky vend dhe ishin fshehur në shpellat poshtë shtëpisë. Tani, ata janë kthyer, duke pushtuar banesën e braktisur dhe duke e kthyer atë në një shtëpi tmerri. Vizitorët priten nga zoti dhe zonja Carver.

Të gjithë anëtarët e familjes Carver janë të këqinj, duke përfshirë Jimmy-n nëntë vjeçar, i cili frikëson njerëzit që janë duke pritur në radhë, i ndihmuar nga motra e tij pesë vjeçar Janice.

"Është bukur sepse kemi shumë për të ngrënë, si këta njerëz. Ata janë të shijshëm," thotë Janice, interpretuar nga një aktore vullnetare.

Brenda shtëpisë ka anëtarë të tjerë të familjes Carver. Por, para se ata të marrin hak, ata bëhen gati për mbrëmjen e tyre të madhe.

Aktorët vullnetarë futen vërtet në brendësi të personazheve të tyre.

"Ishte dita ime e madhe, por nuk përfundoi siç doja," thotë nusja, një personazh i luajtur nga një tjetër aktore.

Është tepër errësirë dhe nuk mund të filmohet shumë brenda shtëpisë së fantazmave, ndërsa vizitorët kalojnë përmes korridoreve. Por Pam Rowe thotë se kjo errësisë e bën atë edhe më të frikshme:

"Nuk ka shumë dritë, prandaj je i detyruar të gjesh rrugën ngadalë dhe kur zbret shkallët. Njerëz dalin prej errësirës… me britma të papritura, të lyer si me gjak."

Disa gjëra përplasen në errësirë. Disa të tjera rrijnë varur.

Pasi frikësohen si vizitorë, disa njerëz kthehen më vonë si aktorë vullnetarë për të trembur të tjerët.

"Është argëtimi më i madh që kam shijuar," thotë aktori Andrew Bush.

Matt Smith është personi që krijon historinë çdo vit dhe krijon efektet speciale. Ai trembte nënën e tij me fishekzjarrë të rremë.

"I fshihja në kanatat e dollapeve, në tualet e kudo. Ajo e urrente këtë gjë, por mua më gëzonte pa masë."

Dhe pikërsisht kur mendon se gjërat nuk mund të bëhen më të frikshme se kaq, udhëtimi vazhdon brenda varrezave. Një zë shpjegon se çfarë po ndodh ndërkohë që arkivoli në të cilin udhëton dridhet, duke dhënë iluzionin se je në një makinë varrimi në lëvizje. Kodi Sanders ishte në arkivol.

"Je si e varrosur përsëgjalli dhe dëgjon lopatat dhe dheun që të hedhin sipër."

Por mundet që jo çdo gjë të jetë e rreme. Jennifer Lassiter, drejtore ekzekutive e Qendrës Paxton, thotë se shtëpia mund të ketë vërtet shpirtra.

"Shumë prej aktorëve tanë të dëgjojnë zëra, zakonisht fëmijë që këndojnë. Ata mendojnë se ka shpirtra që i shtyjnë ose i tërheqin flokët."

Pasi familja Toporkov përfundoi vizitën e saj edhe ata mund ta besojnë këtë gjë.

"Papritmas kishte diçka nga prapa dhe kishte një erë, si aromë e drurëve, ishte diçka shumë reale. Jam ende i frikësuar," thotë Aleksey.

Por Aleksey Toporkov pranon se, në fund, atij i pëlqeu përvoja e frikshme.

XS
SM
MD
LG