Lidhje

Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina

  • Zllatica Hoke

Kryeministri i Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk takohet sot me Presidentin Barack Obama, disa ditë para referendumit, ku banorët rusishtfolës të Krimesë pritet të votojnë për bashkimin gadishullin strategjik me Rusinë. Analistët thonë se takimi nuk pritet të ndalojë zhvillimin e referendumit të caktuar për të dielën, por ata paralajmërojnë për nevojën urgjente për të mos e lejuar Rusinë të vazhdojë me përpjekje të ngjashme edhe në rajonet e tjera të ish-Bashkimit Sovjetik, me popullsi ruse.

Rusia e ka bërë të qartë, se një aktivitet i stuhishëm diplomatik në prag të referendumit të së dielës, pak ndikim do të ketë tek planet për të vënë nën kontroll rajonin e Krimesë. Analisti politik në Washington, Peter Eltsov, thotë se pavarësisht nga emri zyrtar që do të marrë, Ukraina e ka të humbur Krimenë. Por ai thotë se Kievit i duhet të luftojë për të parandaluar përpjekje të tjera të Rusisë në këtë drejtim.

"Kjo është frika më e madhe për qeverinë ukrainase dhe ka mundësi, në vartësi të drejtimit që do të marrë situate, që presidenti Putin do të përpiqet të hyjë në disa rajone të Ukrainës lindore. Duhet të kujtojmë, se nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me tokë mes Rusisë dhe gadishullit të Krimesë.”

Stephen Blank, analist në Këshillin e Politikave të Jashtme Amerikane, është dakord me këtë. Ai po ashtu fajëson Bashkimin Evropian për përgjigjen e dobët ndaj veprimit të Rusisë për të marrë kontrollin e gadishullit strategjik.

"Nuk ka patur sanksione të vërteta ekonomike të organizuara ndaj Rusisë; nuk ka patur veprime strategjike ushtarake për të forcuar aftësinë e Ukrainës për vetëmbrojtje; dhe në se unë do të isha zoti Putin, do të mendoja se nuk ka më rreziqe. Nuk besoj se në fund ai do ta arrijë këtë, por mendoj se deri tani ka patur shumë pak veprime dhe ato nuk kanë qenë të koordinuara.”


Vizita e zotit Yatsenyuk në Washington ka një tjetër qëllim të rëndësishëm. Analisti Eltsov thotë se qeveria e përkohëshme e Kievit ka nevojë për mbështetje ekonomike nga Shtetet e Bashkuara për të mbijetuar dhe për mbështetje politike për ta bllokuar Moskën të avancojë më tej në territorin e Ukrainës. Ai thotë se tani për tani, popullsia rusisht-folëse në lindje të Ukrainës, duket se e ka dënuar ndërhyrjen e Rusisë, por kjo prirje mund të ndryshojë me shpejtësi.

"Identiteti, është një kategori e paqëndrueshme, thonë antropologët. Ai varet nga situata, sidomos në rastin e luftës që ne pamë për shembull në ish-Jugosllavi. Këto çështje mund të ndryshojnë me shpejtësi brenda një nate, në varësi të zhurmës, apo të zhvillimeve të veçanta politike. Kjo është një situate tepër e rrezikshme.”


Peter Eltsov thotë se presidenti rus Vladimir Putin duket se ka si qëllim rigjallërimin e pjesshëm të legjitimitetit të perandorisë ruse dhe në se përpjekjet nuk ndalojnë, ai do të përpiqet të sjellë përsëri nën kontrollin e Moskës zona të tjera të populluara nga rusët, për shembull në Kazakistan.

"Nuk është e mundur që në këtë situatë politike, ai do të donte të merrte kontrollin e Kazakistanit verior, me popullsi kryesisht ruse. Por kjo do të ishte, natyrisht, një ndërmarrje shumë më e vështirë.”

Analisti Peter Eltsov thotë se garancia më e mirë kundër agresionit rus është prania e NATO-s në rajonet më të rrezikuara. Ai thotë se Rusia ka mundësi të mos pushtojë vende anëtare të NATO-s, si Letonia, Lithuania dhe Estonia, megjithëse këto vende kanë një numër të konsiderueshëm të popullsisë ruse.

"Vendi, që nuk bën pjesë në një aleancë ushtarake, që ka një ushtri të vogël në numër dhe ndodhet në një kaos financiar, pa dyshim që është një objektiv tepër i lehtë”.

Javën e kaluar, qeveria amerikane autorizoi sanksionet, përfshirë kufizimin e vizave kundër personave që provohet se kanë shkelur integritetin territorial të Ukrainës. Bashkimi Evropian po ashtu mori masa ndaj Rusisë, duke i pezulluar bisedimet për vizat, si dhe për një marrëveshje të re ekonomike.




Trego komentet

XS
SM
MD
LG