Lidhje

Shtetet e Bashkuara përballë Rusisë


Ndërsa tensionet dhe trazirat po shkallëzohen në Ukrainë, përgjigja merikane ndaj krizës është bërë një çështje gjithnjë e më e debatueshme në Uashington.

Përleshjet vdekjeprurëse në Odesa tregojnë realitetin e errët: çdo ditë që kalon Ukraina i afrohet gjithnjë e më shumë luftës civile mes një qeverie pro-perendimore dhe milicive pro-ruse të mbështetura nga Moska.

Një raund i ri sanksionesh amerikane që vë në shënjestër qarqet e brendshme të presidentit Vladimir Putin nuk ka ndryshuar pozicionin agresiv të Moskës drejt Ukrainës, një fakt që vihet në dukje nga kritikët e presidentit Barack Obama në Uashington.

Senatori republikan Marco Rubio:

“Presidenti Obama flet ashpër rreth Vladimir Putinit. Por veprimet e tij nuk kanë qënë të mjaftueshme për të ndryshuar llogaritë e Putinit, se të mirat nga ky agresion ia vlejnë më shumë se kostot.”

Javën e kaluar, republikanët në senat paraqitën një projektligj që do t’i nënshtronte bankat ruse dhe sektorë të tjerë të rëndësishëm ekonomik ndaj ndëshkimeve amerikane.

“Mirëqënia jonë ekonomike varet shumë tek siguria jonë kombëtare. Problemi është se presidenti Obama nuk duket se e kupton këtë. Në vend që të diktojë ngjarjet, ai shpesh thjesht ka reaguar ndaj tyre.”

Presidenti Obama nuk ka përjashtuar elementë nga propozimi i republikanëve.

“Në se Rusia vazhdon me kursin e tanishëm, ne kemi një sere mjetesh në dispozicion, përfshire sanksionet që do të vinin në shënjestër sektorë të ekonomisë ruse.”

Por në një konferencë shtypi me kancelaren gjermane Angela Merkel, zoti Obama tha se shpreson se diplomacia do t’i bëjë sanksionet e mëtejshme të panevojshme.

“Ne shpresojmë që të mos na duhet t’i përdorim. Ne nuk na intereson të ndëshkojmë popullin rus. Ne mendojmë se zoti Putin dhe qarku i tij drejtues po marrin vendime të gabuara dhe të panevojshme dhe se ai duhet të heqë dorë nga kursi i tanishëm..”

Kriza në Ukrainë është një nga burimet e fërkimeve në arenën e politikës së jashtme mes Shtëpisë së Bardhë dhe kritikëve. Shumë republikanë, dhe bile edhe disa ligjvënës demokratë, kanë bërë thirrje për një përgjigje më të fuqishme amerikane ndaj gjakderdhjes në Siri dhe janë tepër skeptikë rreth përpjekjeve të administrates për të kufizuar ambicjet bërthamore të Iranit përmes diplomacisë.
XS
SM
MD
LG