Lidhje

Shtetet e Bashkuara paralajmërojnë për një krizë të afërt ushqimore në pjesë të Sudanit

  • Margaret Besheer

Shtetet e Bashkuara paralajmërojnë për një krizë të afërt ushqimore në pjesë të Sudanit

Shtetet e Bashkuara paralajmërojnë për një krizë të afërt ushqimore në pjesë të Sudanit

Përmes një letre drejtuar presidentit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ambasadorja amerikane Susan Rice paralajmëron se pa një ndihmë të re substanciale për Kordofanin Jugor dhe Nilin Blu para muajit mars, siguria ushqimore atje do të bjerë në nivele emergjente dhe pjesë të Sudanit do të vuajnë nga uria.

Duke folur për shtypin të martën, ambasadorja Rice fajsoi drejtpërdrejtë qeverinë në Khartoum për situatën.

“Qeveria e Sudanit qëllimisht ka ndaluar qasjen e organizatave ndërkombëtare joqeveritare, Kombeve të Bashkuara dhe punonjësit e ndihmave ndërkombëtare për zonat më të prekura në Kordofanin Jugor dhe Nilin Blu. Këshilli diskutoi këtë çështje në thellësi dhe vërtet është një situatë që është e paarsyeshme dhe e papranueshme.”

Ambasadorja Rice tha se janë bërë përpjekje për t’i kërkuar qeverisë së Sudanit që të lejojë hyrjen në zonat e prekura, por pavarësisht bisedimeve, asgjë nuk ka ndodhur.

“Ne përsërisim thirrjen ndaj qeverisë së Sudanit që të lejojë qasje të plotë, të menjëhershme dhe pa kushte ndaj popullatave në Kordofanin Jugor dhe Nilin Blu për të menjanuar atë që ka mundësi të kthehet shumë shpejt në një krizë humanitare në shkallë të gjerë. Nëse nuk ndodh kjo, ne do të jemi tejet të shqetësuar dhe duhet të shqyrtojmë mënyra të tjera për të trajtuar krizën që po merr formë.”

Por i dërguari i Sudanit në Kombet e Bashkuara, Daffa-Alla Elhag Ali Osman hodhi poshtë paralajmërimin e zonjës Rice për kërcënimin e një krize ushqimore, duke thënë se në 99 përqind të Nilit Blu dhe Kordofanit Jugor, situata është normale.

Ai pranoi probleme vetëm në disa xhepa ku ai tha se ka rebelë të cilët i akuzoi se ishin të armatosur dhe po ndihmoheshin nga Sudani Jugor. I dërguari sudanez tha se nuk është e mundur lejimi i punonjësve të ndihmave në këto zona sepse nuk ka siguri. Por ai tha se qasja në vende të tjera nuk është penguar.

“Situata humanitare në Nilin Blu dhe Kordofanin Jugor është normale dhe qeveria e Sudanit po bashkëpunon me OCHA, me Programin Botëror të Ushqimit me UNICEF, UNHCR për të trajtuar materialet e ndihmave për të gjithë njerëzit në nevojë në zonat rebele të marra nga forcat e armatosura sudaneze.”

Qeveria e Sudanit ka luftuar rebelët në Nilin Blu dhe Kordofanin Jugor për disa muaj. Kombet e Bashkuara përllogarisin se rreth gjysëm milion njerëz janë të prekur rëndë nga konflikti në shtetet e Kordofanit Jugor dhe Nilin Blu.

XS
SM
MD
LG