Lidhje

Shtetet e Bashkuara presin rol më të gjerë të arabëve në koalicionin për Libinë

  • Dejvid Gollast

Shtetet e Bashkuara presin rol më të gjerë të arabëve në koalicionin për Libinë

Shtetet e Bashkuara presin rol më të gjerë të arabëve në koalicionin për Libinë

Një zyrtar i lartë i administratës së Presidentit Obama tha të martën se pret që më shumë vende arabe të njoftojnë brenda disa ditësh kontributin e tyre për zonën e ndalim-fluturimit mbi Libi. Ai po ashtu tha se Shtetet e Bashkuara do të kalojnë shumë shpejt në rolin mbështetës të operacioneve ushtarake.

Pavarësisht mbështetjes së Lidhjes Arabe për zonën e ndalim-fluturimit, vetëm Katari ka kontribuar deri tani në mënyrë tangjente për operacionet ajrore.

Por zyrtari i lartë i administratës së Presidentit Obama, i cili foli për shtypin, tha se priste njoftimet e kontributeve të mëtejshme konkrete nga vendet arabe në ditët që pasojnë.

Zyrtari, i cili foli me kusht që identiteti i tij të mbetej i fshehtë, tha gjithashtu se priste shumë shpejt një marrëveshje në bazë të së cilës NATO do të vihej në komandë dhe kontroll të forcave të koalicionit.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara, të cilat udhëhoqën fazën hapëse të operacioneve ushtarake për të neutralizuar sistemin libian të mbrojtjes ajrore, do të kalojnë gjatë ditëve në vazhdim në rolin mbështetës në veprime të tilla si pengimi i komunikimeve, furnizimi me karburant në ajër dhe mbështetja e zbulimit.

Zyrtari i lartë foli ndërkohë që kontaktet diplomatike vazhdojnë mes vendeve anëtare të NATO-s rreth rolit të aleancës në zbatimin e Rezolutës 1973 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila përcakton një zonë ndalim-fluturimi për të mbrojtur civilët nga forcat besnike të udhëheqësit libian Muamar Gadafi.

Shtetet e Bashkura e kanë bërë të qartë se duan të shohin NATO-n të koordinojë operacionet në Libi të cilat gjithashtu do të përfshijnë edhe vendet anëtare të Lidhjes Arabe dhe vende të tjera.

Vetë Presidenti Obama udhëhoqi përpjekjet lobuese përmes telefonatave të martën me Kryeministrin britanik Dejvid Kameron dhe Presidentin francez Nikola Sarkozi ndërkohë që vazhdon turneun në Amerikën Latine.

Gjatë një konference shtypi, zëvendës-zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mark Toner, tha se NATO është organi logjik i koordinimit të koalicionit.

“Ne kemi thënë se besojmë se NATO ka disa aftësi komande dhe kontrolli që mund të jenë shumë të vyeshme ndërkohë që rritet koalicioni dhe kalojmë në një fazë tjetër. Di që po vazhdojnë bisedimet përmes Këshillit të Atlantikut Verior. Siç dihet, ky është një forum për shkëmbime mendimesh të sinqerta dhe të çiltra por ato janë edhe konfidenciale.”

Zyrtari i lartë i administratës amerikane, i cili foli në rrugë konfidenciale me gazetarët që mbulojnë Departamentin e Shtetit, theksoi se rezoluta 1973 nuk është për ndryshimin e regjimit dhe se zbatimi i saj nuk kërkon largimin e Muamar Gadafit.

Në të njëjtën kohë, ai tha se një vendim nga libianët rreth së ardhmes së vendit mund të bëhet vetëm në një mjedis ku nuk ka dhunë dhe shtypje politike. Ai tha se pikëpamja amerikane, e cila ndahet gjerësisht me komunitetin botëror është se Gadafi ka humbur legjitimitetin për të udhëhequr dhe se një e ardhme e qëndrueshme për Libinë kërkon ndryshimin e udhëheqjes.

Në zhvillime të tjera, Departamenti i Shtetit njoftoi se Turqia ka rënë dakord që të bëhet fuqia mbrojtëse e Shteteve të Bashkuara në Libi, çfarë do të thotë Turqia do të përfaqësojë interesat diplomatike atje, pasi ambasada amerikane në Tripoli është e mbyllur.

Ndërkohë, Departamenti i Thesarit njoftoi sanksione amerikane ndaj 14 firmave që kanë lidhje me Korporatën Libiane të Naftës, vendim i cili përkon me rezolutën e OKB-së.

XS
SM
MD
LG