Lidhje

Shtetet e Bashkuara, Siria tërheqin ambasadorët


Shtetet e Bashkuara, Siria tërheqin ambasadorët
Shtetet e Bashkuara, Siria tërheqin ambasadorët

Vetëm disa orë pasi Departamenti i Shtetit njoftoi se ambasadori amerikan në Siri, Robert Ford ishte kthyer në Uashington për shkak të kërcënimeve të sigurisë, ambasada siriane në Uashington tha se ambasadori i saj, Imad Moustapha, do të kthehej në Damask.

Si ambasadori amerikan në Siri ashtu edhe ambasadori sirian në Shtetet e Bashkuara janë thirrur në vendet e tyre dhe zyrtarët e të dy palëve thonë se kjo u bë për këshillime. Por zyrtarë të Departamentit të Shtetit thonë gjithashtu se ambasadori Ford u thirr në Uashington edhe për shkak të "kërcënimeve të besueshme" ndaj jetës së tij.

Duke komentuar të hënën për gazetarët në Uashington, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Viktoria Nuland theksoi se kthimi i ambasadorit Ford në Uashington nuk është tërheqje. Ajo akuzoi gjithashtu qeverinë siriane për angazhim në një "fushatë shpifjesh" kundër diplomatit amerikan.

"Ne jemi të shqetësuar nga fushate që po nxit regjimi në fuqi në median shtetrore kundër ambasadorin Ford. Ne jemi të shqetësuar rreth gjendjes së sigurisë për ambasadorin që ka krijuar kjo fushatë".

Zëdhënësja Nuland tha se zoti Ford pritet të kthehet në Damask pasi të përfundojë këshillimet, megjithëse kohëzgjatja e qëndrimit të tij në Uashington nuk është e qartë. Ajo tha se qeveria siriane duhet të garantojë një mjedis të sigurtë për ambasadorin, kur ai të kthehet në Damask.

Zoti Ford, diplomat me përvojë të gjatë, u emërua ambasador në Siri në muajin janar. Gjatë dekadës së fundit, ai ka shërbyer në Algjeri, Bahrein dhe Irak.

Salman Shaik, specialist për zgjidhjen e konflikteve në Lindjen e Mesme, është drejtor i qendrës Doha pranë Institutit Brookings. Ai tha për Zërin e Amerikës se media siriane është përpjekur t’i japë tone jo të favorshme punës së ambasadorit Ford në Irak.

"Media siriane është përpjekur ta cilësojë atë deri diku edhe si një pjesë të jetës sektare, duke shfrytëzuar ndoshta disa çështje sektare që janë shfaqur në Irak dhe t’i lidhë ato me çështjet sektare në Siri".

Ambasadori Ford ka qënë kritik i hapur i qeverisë siriane për shtypjen e protestuesve. Kombet e Bashkuara thonë se rreth 3 mijë njerëz janë vrarë që prej fillimit të kryengritjes kundër qeverisë së Presidentit Bashar al-Assad në muajin mars.

Qëndrimi i ambasadorit Ford ka acaruar qeverinë siriane dhe përkrahësit e saj. Muajin e kaluar, një grumbull njerëzish të zemëruar i zunë atij rrugën, ndërsa ai përgatitej të takohej me një figurë kryesore të opozitës në Damask. Madje qeveria siriane dha urdhër për kufizimin e lëvizjes së ambasadorëve, pasi zoti Ford dhe ambasadori francez vizituan qytetin Hamas për të treguar solidaritet me banorët e tij.

Analisti Shaik thotë se ambasadori Ford ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm si dëshmitar i situatës në Siri dhe si i tillë largimi i tij do të jetë një goditje për anëtarët e opozitës siriane. Megjithatë ai e vë theksin tek fakti që Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera kanë vendosur lidhje me figura të opozitës siriane si në Siri dhe jashtë saj.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Nuland tha përsëri se marrëdhëniet me zotin Assad kanë marrë fund. Dhe ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Siria kanë ende marrëdhënie diplomatike, zyrtarë amerikanë, përfshirë edhe vetë Presidentin Barak Obama, kanë bërë thirrje për largimin nga pushteti të Presidentit Assad. Zoti Shaik thotë se tërheqja e ambasadorëve mund të ketë qënë e pashmangshme.

"Ne kemi qënë në një kurs përplasjesh diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe regjimit të al-Assadit në Siri. Është për t’u habitur që thirrja e Ambasadorit Ford u bë më në fund pas një kohe kaq të gjatë, po të kihet parasysh presioni i ushtruar ndaj tij dhe më pas natyrisht tërhqja e ambasadorit sirian nga Uashingtoni".

Megjithë largimin e ambasadorëve, ambasada amerikane në Siri dhe ambasada siriane në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë punën me personel të plotë.

XS
SM
MD
LG