Lidhje

Shtetet e Bashkuara vendosin sanksione të reja mbi Korenë e Veriut

  • Zëri Amerikës

Shtetet e Bashkuara po vendosin një seri të re sanksionesh ekonomike mbi Korenë e Veriut ndërsa po shton trysninë mbi regjimin e izoluar pas fundosjes së një anije luftarake koreanojugore.

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton njoftoi sanksionet sot në Seul pasi ajo dhe sekretari i Mbrojtjes Robert Gates zhvilluan bisedime me homologët koreanojugor. Zonja Clinton tha se sanksionet e reja synonin të ndalnin aktivitetet e paligjshme të regjimit, përfshi tregëtinë e armëve dhe mallrave luksoze që financojnë programin e tij bërthamor.

Më lejoni të theksoj se këto masa nuk i drejtohen popullit koreanoverior që ka vuajtur gjatë për shkak të përparësive dhe drejtimit të gabuar të qeverisë së tyre. Ato u drejtohen politikave provokuese, të paligjshme dhe destabilizuese që ndiqen nga qeveria.

Të dyja palët publikuan gjithashtu një deklaratë të përbashkët ku paralajmërohet Pheniani për pasoja serioze në se ndërmerr hapa të mëtejshëm agresioni kundër Seulit.

Zonja Klinton vizitoi zonën e çmilitarizuar që ndan Korenë e Jugut me atë të Veriut së bashku me zotin Gates sot paradite disa orë pasi mbërritën në Seul nga një mision diplomatik në Afganistan.
Sekretari i Mbrojtjes Gates vuri në dukje kontrastin që vërehet mes Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut.

Është e habitshme sa pak ka ndryshuar Veriu dhe sa shumë vazhdon të fuqizohet dhe rritet Korea e Jugut. Në kontrast Veriu zvarritet në izolim dhe humbje.

Zonja Clinton tha se Pheniani mund të zgjedh një rrugë tjetër nga e cila të përfitojnë njerëzit, por deri atëherë Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të japin një mbrojtje besnike ndaj Koresë së Jugut.

Shtetet e Bashkuara dhe Korea e Jugut do të kryejnë një manovër të përbashkët ushtarake katër ditore që fillon të djelën. Rreth 8 mijë trupa amerikane dhe koreanojugore do të marrin pjesë në stërvitje në bregun lindor të gadishullit korean. Stërvitjet do të përfshijnë gjithashtu më shumë se 20 luftanije dhe nëndetëse si dhe 200 avionë luftarak.

XS
SM
MD
LG