Lidhje

Lufta kundër Shtetit Islamik


Ekstremistët e grupi Shteti Islamik po vazhdojnë ofensivën ndaj një qyteti kurd në Sirinë Veriore, ku luftëtarët kurdë po përpiqen prej javësh të mbajnë nën kontroll atë territor. Pavarësisht nga goditjet ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, në qytetin Kobani janë dëgjuar goditje me predha dhe është parë të dalë tym mbi sipërfaqen e tij. Ndërkohë Australia dhe Turqia miratojnë fillimin e operacioneve ushtarake kundër ekstremistëve të Shtetit Islamik.

Kryeministri i Australisë njoftoi sot se trupat ushtarake australiane do t’i bashkohen përpjekjeve të koalicionit në luftë kundër militantëve të Shtetit Islamik në Irak.

“Sot, kabineti qeveritar ka autorizuar sulme ajrore në Irak sipas kërkesës së qeverisë irakiane dhe në mbështetje të saj. Gjithashtu, qeveria ka autorizuar dislokimin në Irak të forcave speciale australiane për të ndihmuar dhe këshilluar forcat irakiane”, u shpreh kryeministri australian.

Australia po i bashkohet luftës kundër grupit militant një ditë pasi ligjvënësit turq autorizuan përdorimin e forcës ushtarake në Siri dhe në Irak.

Ligji lejon gjithashtu forcat e huaja të veprojnë kundër ISIS, nëpërmjet Turqisë.

“Prania e militantëve islamistë në rajon, rreth 37 kilometra larg kufirit Turqi-Siri ku ndodhet dhe varri i Sulejman Shahut, është një rrezik i qartë dhe një kërcënim ndaj sigurisë kombëtare. Varri i Sulejman Shahut është një pjesë e pandashme e territorit tonë dhe mbrojtja e tij është detyra më e lartë e shtetit. Republika Turke nuk do të hezitojë të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për të përmbushur këtë përgjegjësi.”

Gjatë javëve të fundit, u rrit presioni mbi Turqinë, kur një video amatore tregoi militantë të ISIS që sulmonin luftëtarët kurdë në një qytet kurd afër kufirit.

Shtetet e Bashkuara po udhëheqin një koalicion vendesh për të zmbrapsur zgjerimin e Shtetit Islamik. I dërguari i SHBA për koalicionin kundër Shtetit Islamik, Gjenerali John Allen, pritet të shkojë në Turqi, si pjesë e një udhëtimi në rajon që filloi me Irakun ditën e enjte.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG