Lidhje

Shtohen masat e sigurisë në Nju Jork pas vrasjes së Bin Ladenit


Shtohen masat e sigurisë në Nju Jork pas vrasjes së Bin Ladenit
Shtohen masat e sigurisë në Nju Jork pas vrasjes së Bin Ladenit

Një zëdhënës i ish presidenti amerikan George W. Bush thotë se ish presidenti ka refuzuar ftesën e presidentit Barak Obama për të vizituar të ejten vendin, ku para 10 vjetësh ngriheshin kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregëtisë. Zëdhënësi tha se zoti Bush e vlerëson ftesën por ka zgjedhur të qëndroj larg vëmendjes së opinionit publik pas mbarimit të mandatit të tij.

Ndërkohë, qyteti i Nju Jorkut ka shtuar masat e sigurisë për acte të mundshme terroriste në përgjigje të vrasjes së udhëheqësit të Al-Kaidës Osama Bin Laden. Masat e sigurisë janë shtuar para vizitës që presidenti Obama do të bëjë nesër në kuotën zero, aty ku ndodhej Qendra Botërore e Tregëtisë, e cila u shkatërrua nga sulmet e Al Kaidës më 11 shtator 2001.

Zyrtarët e Nju Jorkut thonë se për momentin nuk ka kërcënime specifike kundër qytetit. Megjithatë autoritetet po marrin masa sigurie. Komisionieri i policisë Ray Kelly tha dje se masat e sigurisë janë shtuar që nga vrasja e Bin Ladenit, megjithëse jo të gjitha masat mund të vërehen nga publiku.

“Byroja jonë e anti-terrorizmit dhe divizioni i zbulimit po punojnë ngushtë me partnerët federalë brenda dhe jashtë vendit për të parë nëse ka tregues për ndonjë akt hakmarrës.”

Sipas komisionierit Kelly masat e sigurisë janë shtuar rreth vendeve të rëndësishme në qytet përfshirë sheshin Times Square, Empire State Building, Statujën e Lirisë dhe objekte të caktuara fetare. Zoti Kelly ka thënë se janë ndarë burime shtesë për infrastrukturën e transportit. Metroja dhe trenat e udhëtarëve u janë nënshtruar kontrolleve të rastit. Në ujërat rreth Nju Jorkut, vëmendje e veçant po i kushtohet anijeve të udhëtarëve, barkave dhe urave.

Policia është e pranishme edhe rreth Kuotës Zero, ku nesër do të bëjë një vizitë presidenti Obama. Sipas zotit Kelly, departamenti gjuhësor i policisë po përcjell me vëmendje komunikimet në internet dhe oficerë të ndërlidhjes janë vendosur jashtë vendit për të mbledhur të dhëna.

Ndërkohë, banorët e Nju Jorkut vazhdojnë rutinat e zakonshme ditore. Rob Walsh punon për shërbimin mjekësor të emergjencës në qytet. Ai thotë se masat e sigurisë të japin qetësi, por ai vë në dukje se kjo është veti e re për jetën amerikane.

“Ky është normalitet i ri. Duhet të mësohemi më këtë. Ka ditë kur nuk dëshiron të lexosh gazetën nga frika se mund të mësosh për një sulm. Por në 10 vitet e fundit ne jemi mësuar me këtë realitet”.

Zoti Walsh shtoi se djali i tij 7 vjeçar nuk ka përjetuar kohën kur banorët e qytetit nuk mendonin për të qënë të kujdesshëm ndaj sulmeve të mundshme terroriste.

XS
SM
MD
LG