Lidhje

Shtohen përpjekjet diplomatike para manovrave të përbashkëta luftarake të Shteteve të Bashkuara me Korenë e Jugut


Shtohen përpjekjet diplomatike para manovrave të përbashkëta luftarake të Shteteve të Bashkuara me Korenë e Jugut
Shtohen përpjekjet diplomatike para manovrave të përbashkëta luftarake të Shteteve të Bashkuara me Korenë e Jugut

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut vazhdojnë përgatitjet për manovrat ushtarake në Detin e Verdhë, megjithë paralajmërimet nga Koreja e Veriut. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kent Klain, na informon nga Shtëpia e Bardhë se diplomatët kinezë po përpiqen të ulin tensionet në rajon pas goditjes me artileri të Koresë së Veriut në një ishull të Koresë së Jugut.

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut fillojnë sot manovrat luftarake të planifikuara prej kohësh, në të cilat do të marri pjesë edhe aeroplanmbajtësja me energji bërthamore USS Xhorxh Uashington.

Manovrat zhvillohen në më pak se një javë pas bombardimit me artileri nga Koreja e Veriut të ishullit të vogël Jonpiong të Koresë së Jugut, ku mbetën të vrarë dy civilë dhe dy marinsa. Dje Koreja e Veriut akuzoi Jugun se përdori civilët si mburoja njerëzore në ishull.

Media shtetërore e Koresë së Veriut i karakterizoi manovrat ushtarake si provokim me paramendim dhe paralajmëroi se ato po e çojnë Gadishullin Korean në prag të luftës. Në një deklaratë tjetër, agjencia zyrtare qendrore koreane e lajmeve të Phenianit tha se nëse ka patur viktima civile nga goditja me artileri, kjo është një ngjarje për të ardhur keq.

Ndërkaq, Koreja e Jugut ka intensifikuar retorikën kundër Veriut. Në ceremoninë funebre për dy marinsat e vrarë, të transmetuar nga media në gjithë vendin, komandanti i marinsave, gjeneral-lejtnanti Jo Nak Jun deklaroi se hakmarrja ndaj Veriut do të jetë e “një mijë fishtë”.

Në përpjekje për të ulur tensionet, Kina dërgoi dje dy zyrtarë të lartë në Seul për t’u takuar me ministrin e Jashtëm të Koresë së Jugut. Agjencia koreanojugore e lajmeve, Jonhap, njoftoi se ata diskutuan sulmin e të martës dhe bisedimet ndërkombëtare për t’i thënë fund programeve bërthamore të Koresë së Veriut.

Ministri i Jashtëm i Kinës, Jang Ji Çi, i telefonoi homologut të tij rus, Sergei Lavrov, për konsultime. Gjithashtu Kina ka kritikuar manovrat ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut. Pekini thotë se është kundër çdo “akti të njëanëshëm ushtarak” në rajon, pa lejen e tij.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, dhe udhëheqësit e Japonisë dhe Koresë së Jugut i bënë thirrje Kinës të ushtrojë influencën e saj ndaj Koresë së Veriut për të zgjidhur konfliktin.

Shefi i Shtatmadhorisë amerikane, admirali Majk Mullen, tha në një intervistë me kanalin televiziv CNN se Kina, si aleatja kryesore e Koresë së Veriut, rrezikohet po aq shumë sa edhe vendet e tjera nëse gjendja në rajon destabilizohet. Admirali Mullen tha se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të parandalojnë që incidenti të përshkallëzohet dhe të marrë përmasat e një konfliki më të rëndë.

Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara e kanë cilësuar goditjen me artileri si një “akt indinjues” dhe shkelje të marrëveshjes së armëpushimit të vitit 1953, por kanë thënë se nuk besojnë se Pheniani është i përgatitur për një fushatë të zgjeruar ushtarake.

Në Seul, rreth 70 ish anëtarë të forcave speciale protestuan kundër përgjigjes së dobët të qeverisë, siç e karakterizuan ata. Ata u përleshën me policinë kundër trazitave përpara ndërtesës së Ministrisë së Mbrojtjes, duke goditur me shkopinj druri helmetat e policisë dhe duke spërkatur me solucion kundër zjarrit.

Presidenti i Koresë së Jugut, Li Mjung Bak zëvendësoi të premten ministrin e Mbrojtjes.

XS
SM
MD
LG