Lidhje

Shtohet numri i njerëzve që ikin për t’i shpëtuar dhunës në botën arabe

  • Henri Rixhvell

Shtohet numri i njerëzve që ikin për t’i shpëtuar dhunës në botën arabe

Shtohet numri i njerëzve që ikin për t’i shpëtuar dhunës në botën arabe

Ndërsa bota shënon sot Ditën e Refugjatëve, shtohet numri i njerzve, që ikin për t’i shpëtuar dhunës në botën arabe. Protestat anti-qeveritare po shtypen me forcë në vende si Libia dhe Siria, duke detyruar dhjetëra mijëra vetë të largohen drejt një të ardhmeje të panjohur, madje shumë refugjatë nuk kanë shumë shpresa të kthehen në atdheun e tyre të mëparshëm.

Në kampin e refugjatëve Yayladagi në afërsi të kufirit turk me Sirinë ndodhen aktualisht rreth 3mijë e 500 refugjatë dhe çdo ditë arrijnë familje të tjera. Banorët e rinj të kampit kanë braktisur shtëpitë dhe pronat nga terrori. Ata përfaqësojnë dallgën e refugjatëve sirianë që largohen për t’i shpëtuar shtypjes qeveritare të protestave pro-demokracisë. Ata janë një nënprodukt i Pranverës Arabe. Mans Nyberg me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët thotë se mijëra njerëz të shpërngulur nga kryengritjet dhe konfliktet në botën arabe e bëjnë këtë vit shumë të vështirë për të gjithë refugjatët:

“Është në fakt hapi i fundit i dëshpëruar që ndërmerr një individ, kur s’i kanë mbetur opsione të tjera. Kur të digjet shtëpia, kur ushtarët të sulmojnë qytetin, të duhet të ikësh”.

Në kampin e refugjatëve Shousha në kufirin e Tunizisë me Libinë ka filluar një stuhi rëre. Qindra mijëra refugjatë kanë kaluar në këtë pikë-kalim që kur filloi konflikti në Libi në muajin shkurt. Shumë nga refugjatët janë punëtorë sezonalë nga vende të tjera afrikane. Dhuna në kamp ndërmjet kombësive të ndryshme është shkallëzuar gjatë javëve të fundit. Dhjetëra refugjatë u vranë kur një pjese të kampit iu vu zjarri. Shishay Tesfay është nga Eritrea.

“10 ditë më parë ne humbën 4 nga vëllezërit, të cilët gjetën vdekjen kur u dogj tenda. Nuk patën mundësi të shpëtojnë pasi tenda merr flakë menjëherë dhe digjet për 5 minuta”.

Rreth një mijë fëmijë banojnë në kamp. Një shkollë e përkohshme e ngritur nga Kombet e Bashkuara gjithashtu u dogj. Ndërsa stuhitë e rërës dhe zjarret shkattërojnë pjesë të kampit dhe vala e refugjatëve nuk duket se do të ndalojë, punonjësit në kampin e refugjatëve Shousha po ngrenë më shumë tenda dhe kampi po shtrihet në shkretëtirë.

Kushtet për njerëzit që jetojnë këtu janë shmë të vështira, por ata nuk mund të kthehen në Libi për shkak të dhunës. Shumë prej tyre thonë se gjendja në vendet e tyre është shumë e rrezikshme, në fakt ata nuk kanë atdhe dhe shtëpi ku të shkojnë. Me këtë situatë përballen rreth 3 mijë e 500 refugjatët e kampit Shousha, të ardhur nga Eritrea, Somalia dhe Sudani, Çadi dhe iraku. Kombet e Bashkuara përllogarisin se në botë ka rreth 7 milionë refugjatë që nuk kanë vend tjetër ku të shkojnë.

“Problemi më i madh sot është ekzistenca e tejzgjatur si refugjatë, kur shumë njerëz jetojnë për dekada të tëra dhe për breza të tërë si refugjatë, pa zgjidhje për ta”.

Për dhjetëra mijëra njerëz që largohen nga Libia me premtimin e një jete të re në Evropë, trafikantët kërkojnë 1 mijë e 500 dollarë për një udhëtim përmes Mesdheut. Shumica mbërrijnë këtu në ishullin italian Lampedusa, me anije të mbingarkuara dhe shpesh të rrezikshme. Mahrouf është refugjat nga Bangladeshi, i cili banonte në Tripoli.

“Gjatë gjithë kohës, qeveria dhe kryengritësit janë në luftë, ndërkohë që njerzit vdesin, prandaj erdha këtu në Itali. Mu deshën 5 ditë me barkë. Ne patëm shumë fat, që mbërritëm të gjallë, sepse kur mbërritëm barka jonë u përplas në brigjet shkëmbore”.

Tre pasagjerë humbën jetën kur barka me të cilën udhëtonte Mahroufi u përplas në shkëmbinj. Disa qindra refugjatë mendohet se janë mbytur gjatë muajve të fundit në përpjekje për t’u larguar nga Libia.

Kombet e Bashkuara përllogarisin se aktualisht në gjithë botën ka rreth 43 milionë vetë të zhvendosur. E vetmja zgjidhje afat-gjatë, thotë organizata, është t’u jepet fund konflikteve që i detyrojnë njerëzit të braktisin shtëpitë e tyre për një të ardhme të panjohur.

XS
SM
MD
LG