Lidhje

Shtohet vëmendja e medias tek roli i monarkive në epokën moderne

  • Zëri Amerikës

Shtohet vëmendja e medias tek roli i monarkive në epokën moderne

Shtohet vëmendja e medias tek roli i monarkive në epokën moderne

Ndërsa Britania përgatitet për martesën në familjen mbretërore të Princit William me Kate Middleton në prill të vitit 2011, vëmendja e medias tek çifti mbretëror po shtohet, ashtu sikurse edhe tek roli i monarkive në epokën moderne. Në vazhdim, le t’i hedhim një vështrim rolit të familjeve mbretërore në botë.

Lajmi se Princi William do martohet me të dashurën e tij Kate Middleton, ka zgjuar interes të veçantë te familja mbretërore. Janë prodhuar filxhane të reja me stampën mbretërore dhe ka mjaft hamendje për fustanin e nuses. Dasma e tyre në pranverë pritet të tërheqë miliona vizitorë të tjerë në Britani.

Familja mbretërore e kryesuar nga Mbretëresha Elizabetë e Dytë, me pompozitetin dhe ceremonialin e saj është destinacioni i dytë turistik në botë, dhe i sjell ekonomisë britanike rreth 800 milionë dollarë në vit. Patricia Jejts punon në agjencinë turistike të Britanisë.

"Ka një arsye përse njerëzit vijnë në Britani, për të parë me sy historinë dhe traditën me elemente moderne."

Por kundërshtarët e Monarkisë Britanike thonë se njerëzit vijnë për të parë Pallatin Bukingham, shtëpinë e Mbretëreshës në Londër, Kështjellën Windsor dhe destinacione të tjera turistike të familjes mbretërore, pa familjen mbretërore. Ata kërkojnë që Parlamenti t’i japë fund Monarkisë dhe nuk duan që autoriteti i qeverisë të vijë nga mbretëresha, megjithëse ajo ka një rol tepër ceremonial. Mbretëresha takohet një herë në javë me kryeministrin, por nuk ndërhyn hapur në politikë. Graham Smith bën pjesë në grupin Republika, që e kundërshton monarkinë.

"Monarkia është pjesë e kushtetutës sonë dhe e procesit tonë politik, mbretëresha është me ligj kreu i shtetit dhe ne mendojmë se kjo është tërësisht e gabuar."

Po ashtu, është kërkuar që radha e trashëgimisë së fronit të ndryshohet, Princi Charles të mënjanohet dhe në vend të tij të bëhet mbret djali i tij William, që gëzon popullaritet, por kjo duket se nuk do të ndodhë.

Mbretëresha Elizabet po ashtu është kreu i shtetit për 15 vende të tjera dhe familja mbretërore e Britanisë nuk është e vetmja monarki e botës.

Mbreti Abdullah i Arabisë Saudite kryeson një nga familjet e pakta mbretërore që edhe sundon vendin. Po ashtu një mbret Zulu, megjithëse mbretëria e tij është tani pjesë e Afrikës së Jugut. Mbretëritë e ndryshme të botës kanë rituale dhe role tepër të ndryshme. Ja si shprehet studjuesi i familjeve mbretërore, Richard Ficuilliams:

"Në Evropë, shumica e monarkive janë kushtetuese, me pak pushtet ekzekutiv. Në Lindjen e Mesme, shumica e tyre janë autokratike. Në Lindjen e Largët janë të ndryshme, ka monarki që janë më demokratike, ka nga ato që konsiderohen si të shenjta, siç ndodh në Japoni dhe në Tajlandë."

Mbreti i Tajlandës, Bumibol Adulajdej është kryetari i shtetit që ka sunduar vendin për një kohë më të gjatë, ai ndodhet në fron që nga viti 1946.

Festimet me rastin e 60-vjetorit të sundimit të tij si monark kanë tërhequr familjet mbretërore nga e gjithë bota. Ai vlerësoeht për ndihmën që ka dhënë në kalimin e Tailandës në një regjim demokratik dhe shihet si simbol i qëndrueshmërisë në një vend të shkatërruar nga krizat politike. Tani ai është i moshuar dhe me shëndet të dobët, dhe tajlandezët shqetësohen për pasardhësin e familjes mbretërore sepse ai është i vetmi mbret që ata njohin.

Në Britani, miliona njerëz pritet të ndjekin me vëmendje të veçantë ceremoninë e martesës në familjen mbretërore, e cila do të pranojë në gjirin e saj mbretëreshën e ardhshme të vendit.

XS
SM
MD
LG