Lidhje

Shtypi rus mbi referendumin në Britani


Media shtetërore ruse shpesh vepron si nxitëse e përçarjes brenda Bashkimit Evropian dhe shkruan për pesimizëm në Evropë dhe dështim për të mbrojtur vlerat tradicionale që u shkojnë për shtat atyre që përkrahin largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Shumë mesazhe të televizionit shtetëror e paraqesin Europën të rënë moralisht dhe të pushtuar nga emigrantë kriminelë për shkak të dështimit të vendeve të BE-së për të mbështetur pavarësinë dhe sovranitetin e tyre.

Disa kanë shkuar aq larg sa promovojnë mesazhe euroskeptike dhe ksenofobike që analistët thonë se janë të destinuara kryesisht për audiencën ruse.

Në një intervistë me gazetën Izvestiya, anëtari i Komitetit të Çështjeve Ndërkombëtare pranë Këshillit të Federatës, Andrei Klimov, e quajti referendumin Brexit pjesë të një "vlerësim moral" të proceseve që po ndodhin në Europë.

Së bashku me referendumin e Holandës kundër marrëveshjes së asociimit BE - Ukrainë dhe votimit në parlamentin francez për heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë, kjo tregon se Evropa nuk është mësuar të flasë me një zë, tha zoti Klimov. Ai paralajmëroi se Bashkimi Sovjetik u shemb për shkak të proceseve të ngjashme.

Ndërsa Rusia ngacmon tërthorazi Bashkimin Evropian, mbështetja për tërheqjen e mundshme të Britanisë nga BE-ja, që shihet nga shumë analistë si dobësim i Evropës, ka qenë më pak e dukëshme.

"Ky nuk është problem që prek direkt Rusinë. Pra, kjo është arsyeja pse shtypi i ndjek vetë ngjarjet", thotë Elena Ananieva, kryetare i Qendrës për Studime britanike në Institutin e Evropës pranë Akademisë ruse të Shkencave. "Vetëm kohët e fundit, shtypi ka filluar të komentojë mbi pasojat e Brexit për Rusinë," i tha zonja Ananieva Zërit të Amerikës.


Herman Gref, kreu i bankës më të madhe të Rusisë, Sberbank, tha për Bloomberg TV javën e kaluar se një dalje e Britanisë nga Bashkimi Evropian mund të prishë shpresat e Rusisë për rimëkëmbje ekonomike. "Kjo do të ketë një ndikim shumë negativ në ekonominë tonë, në normën tonë të këmbimit dhe të investitorëve në letra me vlerë," tha Herman Gref në Forumin Ekonomik në Shën Petersburg.

Komentet e këtij bankieri me ndikim, se pse Rusia duhet të jetë e shqetësuar rreth Brexit, cituar gjerësisht në mediat ruse, kanë qenë më të fortat deri tani.

Në të njëjtin forum, transmetuar drejtpërdrejt në televizionin rus, presidenti i Rusisë Vladimir Putin shtroi pyetjen se pse kryeministri britanik David Cameron e lejoi referendumin. "Brexit tani është një çështje shumë e madhe, por pse e lejoi ai këtë referendum? Për të frikësuar Evropën, ose për të kërcënuar dikë? Cili është qëllimi i këtij votimi, nëse ai vetë e kundërshton idenë?, pyet Putin.

Presidenti rus nuk tha se nëse është në favor apo kundër Brexit, por pranoi se dalja e Britanisë nga BE-ja do të kishte pasoja për Evropën. "Ekspertë të ndryshëm kanë dhënë mendime të ndryshme lidhur me atë nëse tërheqja e Britanisë nga BE-ja është mirë apo keq", tha zoti Putin. "Shumica e ekspertëve janë dakord se kjo do të dëmtojë Evropën, por disa thonë se Evropa vetëm do të bëhet më e fortë dhe më e qëndrueshme," tha presidenti rus.

XS
SM
MD
LG