Lidhje

Shtypja e protestave në Rusi

  • JAMES BROOKE

Në dy javë që pas zgjedhjes së Vladimir Putinit, analistët thonë se Kremlini po vepron për të dobësuar lëvizjen opozitare që lulëzoi në Rusi dimrin e kaluar.

Gjatë javës së kaluar, policia ndaloi qindra njerëz në protestat në Moskë dhe Shën Petersburg. Tre anëtarë të një grupi muzikor që morri pjesë në protestë u burgosën për dy muaj nën akuza për huliganizëm. Dy ambjentalistë u arrestuan pasi fotografuan ndërtesën e guvernatorit në një park kombëtar. Dhe një gjykatë në Moskë dënoi me pesë vjet burg njeriun që organizoi fushata në internet për grumbullim fondesh me të cilat u blenë autoparlantët dhe podiumet e protestave dimrin e kaluar.

Natalia Pelevine, koordinatore e Komitetit për Rusinë Demokratike, foli me Zërin e Amerikës pasi zyra e kryetarit të bashkisë së Moskës refuzoi kërkesën e saj të hënën për një protestë për çështjen e Sergei Magnitsky, avokati që vdiq në një burg të Moskës tre vjet më parë.

"Dëshira e tyre është të na heqin nga rrugët përfundimisht, ndoshta të na zhdukin në një mënyrë apo një tjetër, duke na detyruar të largohemi nga vendi, ose ndoshta kanë në plan të na vënë në pranga."

Opozita u godit nga dy valë të njëpasnjëshme.

Të enjten në mbrëmje, një gjykatës në Moskë dha një dënim pesë vjeçar për Alexei Kozlo-n, personi që organizoi një sistem pagese në Internet për grumbullimet gjatë protestave në dimër. Ky sistem grumbulloi para përmes donacioneve të vogla në Internetin Rus, duke e çliruar opozitën nga akuzat se mitingjet u financuan nga oligarkët rusë ose fuqitë perendimore.

Shtatorin e kaluar, Gjykata e Lartë e Rusisë hodhi poshtë vendimin për fajësi ndaj Kozlovit nën akuza për shkelje financiare. Por kur ai u bë një figurë kryesore e opozitës, ai shpejt u rigjykua, u dënua dhe u dërgua në burg.

Duke nxitur më tej zemërimin e opozitës, NTV, një kanal televiziv i kontrolluar nga shteti, transmetoi të premten një program special ku thuhej se shumë protestues kundër kryeministrit Putin ishin emigrantë të paguar.

Deri në një mijë demonstrues u grumbulluan të djelën pranë zyrave të televizionit. Ata shtruan dollarë fallso në portën e ndërtesës së stacionit. Protesta ishte e paautorizuar dhe policia ndaloi mbi 100 vetë.

Nikolai Petrov, analist në institutin Carnegie Endowment, thotë se synimi i Kremlinit është të shtypë protestat publike para se në Moskë të mbërrijë pranvera.

"Ideja është të mënjanohen demonstratat në shkallë të gjerë këtu në Moskë. Problemi është se kriza politike është ende e pranishme dhe nuk është zgjidhur. Edhe në se demonstruesit do të largoheshin nga rrugët kjo nuk do të thotë se Kremlini mund ta festojë këtë fakt si fitore.

Duke parë drejt majit, presidenti i zgjedhur Putin njoftoi për një pushim pesë ditor që do të fillonte të hënën më 7 maj, kur bëhet ceremonia e parurimit të tij si president. Ai shpreson që në vend të protestave, moskovitët do të shkojnë në fermat apo shtëpitë në fshat për të pushuar, kur ai të fillojë mandatin e ri gjashtë vjeçar.

Në një tjetër strategji, qeveria kërkon të kontrollojë jo vetëm protestat në rrugë por edhe mundësinë e krijimit të partive të reja politike. Gjatë ditëve në vazhdim, parlamenti rus pritet të miratojë një ligj që do të pakësojë ndjeshëm kërkesat për formimin e partive të reja. Por në muajt e verës, opozita ruse mund të fragmentizohet në dhjetra parti të vogla.

Analisti Petrov thotë se do të ketë më shumë qëndrueshmëri duke krijuar një parti të madhe opozitare.

“Ata po bëjnë gabim, duke mos dalë me një reformë politike pasi kjo është e nevojshme për ta shumë më tepër se për çdokënd tjetër.

Zoti Petrov dhe analistë të tjerë parashikojnë që Kremlini do të përballet me probleme të mëdha ekonomike pas zgjedhjeve.

Pikë së pari, ngrirja e çmimeve do të hiqet për faturat e energjisë dhe gazit, duke çuar në rritje të çmimeve. E dyta, hendeku në rritje i pensioneve, shkaktuar nga popullata në plakje e Rusisë mund të detyrojë Kremlinin të rrisë moshën e pensionit që tani është 55 vjec për gratë dhe 60 për burrat.

Së fundmi, fushata për zgjedhjen e zotit Putin pramtoi të shtojë deri në 160 miliardë dollarë shpenzime të reja gjatë mandatit të tij. Këto premtime përshijnë më shumë armë për ushtrinë dhe ngritje të mëdha të pagave për mjekët dhe mësuesit. Ekonomistët thonë se kjo mund të financohet vetëm në se çmimet e naftës në botë do të vazhdojnë të rriten më tej edhe nga nivelet e tanishme të larta.

XS
SM
MD
LG