Lidhje

Reagimet e botës myslimane ndaj vrasjes së Osama bin Ladenit

  • Kejn Farabau

Reagimet e botës myslimane ndaj vrasjes së Osama bin Ladenit

Reagimet e botës myslimane ndaj vrasjes së Osama bin Ladenit

Reagimi ndaj vrasjes së Osama Bin Ladenit në botën myslimanë thuajse ka munguar. Ndërsa disa fondamentalistë janë të zemëruar që ai u vra nga komandot amerikane, shumica e njerzve duket se duan t’ia lënë historisë al-Kaidën dhe metodat e saj të dhunshme.

Fronti i Mbrojtësve Islamikë, një grup fondamentalist indonezian, zhvilloi një shërbim lutjesh për Osama bin Ladenin.

Por ky qëndrim nuk është normë në Indonezi, vendi me popullsinë më të madhe myslimane në botë. Në vitin 2002, grupi i lidhur me al-Kaidën, Xhemaja Islamija, kreu një shpërthim në Bali, ku u vranë më shumë se 200 njerëz.

Në xhaminë Kelapa të Xhakartës, njerzit vlerësuan operacionin amerikan.

"Është një gjë shumë e mirë për të gjithë botën sepse bin Laden ishte terrorist".

"Kur dëgjova për vrasjen e Bin Ladenit, u gëzova shumë se numri i terroristëve si ata që ndjek Indonezia po pakësohet".

Një banor i Kairos mendon se mënyra si u varos udhëheqësi i al-Kaidës nuk përputhet me ritualet e islamizmit, madje ai thotë se kjo do ta dëmtojë imazhin e Amerikës. Por kundërshtimi më i madh kishte lidhje me mënyrën se si disa amerikanë e pritën me gëzim të madh vrasjen e terroristit më famëkeq të botës.

Ndërkohë, Vëllazërimi Mysliman i Egjiptit tha se ka ardhur koha që ushtria amerikane të tërhiqet nga Iraku dhe Afganistani.

Megjithatë, nuk ka pasur shprehje të mëdha keqardhjeje për një terrorist, që e konsideronte veten si udhëheqës mysliman. Osama Bin Ladeni kishte humbur simpatinë mes një numri të madh myslimanësh shumë kohë para se të vritej, prandaj shumë pak njerëz shprehin keqardhje për vrasjen e tij.

XS
SM
MD
LG