Lidhje

Vazhdon mbyllja e qeverisë amerikane

  • Zllatica Hoke

Ende nuk ka shenja për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve

Ngërçi politik që ka mbyllur operacionet jo-thelbësore të qeverisë amerikane nuk po tregon shenja lehtësimi. Ndërsa mbyllja e qeverisë hyri sot në ditën e dytë, republikanët dhe demokratëtë në Kongres ende fajësojnë njëri-tjetrin, ndërsa shumë amerikanë fajësojnë të gjithë politikanët.


Grindjet partiake në legjislaturën e vendit kanë lënë mënjanë gjithçka, që nga negociatat e tregtisë e deri tek hulumtimet mjekësore, dhe e kanë ulur më tej opinionin e amerikanëve për ligjvënësit.

Çështja kryesore është ligji i ri për kujdesin shëndetësor, i njohur si "Obamacare", i cili ofron sigurime për miliona njerëz. Republikanët duan që ligji të shfuqizohet ose të paktën të shtyhet para se ata të bien dakord për të miratuar një buxhet të ri.

Presidenti amerikan Barak Obama tha dje se ai nuk do të dorëzohet për ato që i quajti kërkesa ultimative të republikanëve. Ai tha se ligji u miratua në Kongres dhe nuk është i lidhur me çështjen e buxhetit.


"Nuk do të lejoj askënd të hedhë baltë mbi emrin e mirë të Amerikës për të kontestuar një zgjedhje që ka përfunduar apo për të shpalosur kërkesa ideologjike."


Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner fajësoi senatin e drejtuar nga demokratët për mbylljen, duke thënë se partia e tij ka ofruar kompromis.


Mbrëmë jo vetëm që ata e kundërshtuan ofertën, por edhe të gjitha thirrjet tona për bisedime dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet sipas Kushtetutës, prandaj ne duhet të ulemi e të diskutojmë dhe të përpiqemi për t'i zgjidhur çështjet."

Analistët thonë se republikanët mund të humbasin mbështetjen e disa votuesve nëse mbyllja e qeverisë vazhdon. Rachel van Dongen është redaktore e gazetës online Politico.


"Drejtuesi i Partisë Republikane, John Boehner dhe ushtarët e tij kanë qënë gjithnjë të shqetësuar rreth mundësisë së humbjes së shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve në 2014-ën për shkak të mbylljes së qeverisë, por u detyruan ta bënin këtë të shtyrë nga konservatorët brenda partisë. 30-40 anëtarë të lëvizjes Tea Party janë nxitësit e vërtetë për mbylljen e qeverisë. "


Amerikanët po nervozohen gjithnjë e më shumë nga betejat partiake në Kongres.

Paul Sacker është inxhinier i agjencisë për mbrojtjen e mjedisit në Nju Jork.


"Do filloj të përdor kursimet pasi rrogat na janë ndaluar. Vajzën e kam në kolegj dhe kemi shpenzime për të mbuluar."


David Poppert, i cili punon në Departamentin e Punës në Uiskonsin, thotë se kjo do të dëmtojë sektorin privat.


"Pjesë e kësaj situate është se do të përpiqem të kursej çdo dollar. Por për çdo dollar që kursej unë, bizneset dëmtohen dhe nuk arrijnë të paguajnë punonjësit e tyre."


Gjatë mbylljes së qeverisë, gati 800 mijë punonjës federalë janë me leje të papaguar për një periudhë të pacaktuar kohe. Mbyllja e qeverisë në vitin 1995 zgjati 21 ditë dhe ishte më e gjata në historinë amerikane.

XS
SM
MD
LG