Lidhje

Si do të hakmerrej Irani në rastin e një sulmi izraelit


Rezultati i bisedimeve që janë në plan të fillojnë të shtunën mes fuqive botërore dhe Iranit, lidhur me programin e debatueshëm bërthamor të këtij vendi, mund të jenë një faktor përcaktues në se Izraeli do të ndërmarrë ose jo sulme ajrore, siç ka kërcënuar të bëjë, kundër objekteve bërthamore të Iranit. Analistët thonë se një sulm izraelit mund të provokojë një sulm me raketa ndaj Izraelit nga Irani dhe aleatët e tij, si dhe sulme terrorist kundër objektivave hebraike në mbarë botën. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Mark Snowiss na njeh me mendimin e analistëve për këtë çështje.

Përveç sulmeve të pritshme kundër qendrave të populluara nga izralitët dhe objektivave izraelite, disa analistë thonë se Irani mund të fillojë të kryejë veprime të stilit terrorist kundër interesave amerikane dhe të atyre të aleatëve rajonalë, si Arabia Saudite, për mbështetjen që ata mendohet se i japin politikave të Izraelit.

Qeveria iraniane ka paralajmëruar hapur se do të hakmerrej, në se goditen objektet e tyre bërthamore. Udhëheqësi suprem Ajatollah Ali Khamenei tha në një fjalim muajin e kaluar se Teherani do “t’i kundërpërgjigjej armikut me sulme të të njëjtit nivel.”

Uzi Rubin, ish-drejtor i Organizatës izraelite të Mbrojtjes nga Raketat, paralajmëron për rreziqet.

“Teorikisht, rreziku iranian mund të dëmtojë ekonominë e Izraelit deri në paralizim, duke mbyllur aeroportet, portet… Mjafton të mbyllen lidhjet tona me jashtë, transporti, që ekonomia izraelite të ngadalësohet dhe të ngecë.”

Por analisti Rubin thotë se raketat balistike të Iranit nuk janë të sakta dhe se Teherani ka më tepër mundësi të mbështetet tek aleatët më pranë territorit izraelit. Ai veçoi mes tyre Sirinë fqinje.

“Arsenali i Sirisë është në fakt qendra e gravitetit në rrezikun nga raketat ndaj Izraelit, jo sepse ata kanë më tepër raketa se sa iranianët, por sepse ato kanë më tepër raketa që mund ta godasin Izraelin nga territori sirian, për shkak të afërsisë territoriale. Pika më e afërt e Iranit është rreth 1 mijë e 200 kilometra larg, ndërsa Siria është ngjitur me Izraelin.”

Në Rripin e Gazës, lëvizja Hamas prej vitesh shihet si mbrojtëse e interesave iraniane. Por grupi kohët e fundit ka filluar ta distancojë veten nga qeveritë e drejtuara nga shiitët në Siri dhe Iran, duke e bërë më pak të mundur përfshirjen në një konflikt të udhëhequr nga iranianët.

Në këtë situate, Hezbollahu i Libanit është i armatosur me rreth 40 mijë raketa dhe me kapacitetin për të kryer rreth 1 mijë sulme në ditë.

Por gjenerali në pension Shlomo Brom, ish-kreu i planifikimit strategjik në ushtrinë izraelite, thotë se Hezbollahu mund të hezitojë të zbatojë ofertat e Iranianëve.

“Unë mendoj se ka një mundësi të arsyeshme, që Hezbollahu po ashtu, do të zgjidhte që të mos merrte pjesë në veprimet hakmarrëse të Iranit. Në se do ta bënte një gjë të tillë, Hezbollahu do të pësonte një dëm politik të jashtëzakonshëm për shkak të perceptimit që do të krijohej në Liban, se ajo nuk është një lëvizje e vërtetë kombëtare libaneze, ngaqë duan të sakrifikojnë Libanin për interesa të huaja, në rastin tonë ato iraniane.”

Veç ndërhyrjes ushtarake, disa analistë mendojnë se Irani mund të kërkojë inspektimin e çisternave të naftës në Ngushticën e Hormuzit, me synimin për të ngadalaësuar trafikun. Por shumica e analistëve dyshojnë se Teherani do të mbyllte plotësisht kalimin dhe do të sakrifikonte edhe eksportin vet të naftës.

Megjithatë, një sulm izraelit dhe masat kundërshtuese të Iranit do ta çonin konfliktin në drejtime të pakontrolluara. Trita Parsi është presidente e Këshillit iraniano-amerikan në Washington.

“Unë druhem se në se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara do të godisnin Iranin si masë parandaluese, konflikti do të zgjerohej dhe mund të ndodhin gjëra të paparashikueshme.”

Shlomo Brom, tani analist për sigurinë në Tel Aviv, druhet se përllogaritjet e Teheranit se sa larg mund të shkohet, pa e zgjeruar konfliktin, mund të mos jenë të sakta.

“Ky është shqetësimi im, se iranianët mund të mendojnë se në se ata do të hakmerreshin ndaj shteteve arabe në rajonin e Gjirit, kalimit të naftës, ose interesave amerikane, këto nuk do të ishin një provokim i mjaftueshëm për ta futur SHBA-në në luftë, por ata mund t’i kenë bërë llogaritë keq.”

Analisti Brom paralajmëron se llogaritë e gabuara ndodhin shpesh dhe në një nivel të tillë, mund ta çojnë mbarë rajonin edhe tani të paqëndrueshëm, drejt greminës.

XS
SM
MD
LG