Lidhje

Konferenca Ndërkombëtare e SIDA-s 2014


AIDS Living in the Shadows Panel Discussio

AIDS Living in the Shadows Panel Discussio

Në 20 vjet, Konferenca Ndërkombëtare e SIDA-s është zgjeruar nga takimi i rreth 2 mijë shkencëtarëve në vitin 1985, në Atlanta, në aktivitetin shumë-disiplinor të këtij viti me pjesëmarrjen e 12 mijë shkencëtarëve, aktivistëve dhe njerëzve që jetojnë me virusin. Konferenca e fundit në Melburn të Australisë trajtoi një pafundësi temash, që nga shkenca rreth sëmundjes deri tek çështjet sociale.

Shumë gjëra kanë ndryshuar lidhur me epideminë e SIDA-s në vetëm 20 vjet: në Konferencën e SIDA-s 2014, prezervativët janë të po aq të zakonshëm sa furçat e dhëmbëve, seksi dhe siguria janë fjalë të pandara dhe SIDA nuk është më një dënim me vdekje, por një temë e përshtatshme për një festë ku kërcehet.

Por kjo konferencë nuk kishte të bënte vetëm me ngjyra dhe argëtim.

Në veprimtarinë e këtij viti në Melburn, shkencëtarët dhe hulumtuesit paraqitën gjithashtu studime të rëndësishme. Përparimet mjekësore përfshijnë përmirësime në testim dhe trajtim dhe, këtë vit, një pilulë që mund të ndihmojë në parandalimin e transmetimit të HIV-it.

Dr. James Rooney i kompanisë Gilead Sciences shpjegon se si funksionon protokolli i parandalimit, i quajtur "PrEP".

"PrEP është në fakt një strategji e re për parandalimin e infeksionit me HIV. Kjo është një strategji që përdor ilaçet e HIV-it që përdoren shpesh për trajtim, por në këtë rast, ato u jepen individëve të cilët janë në rrezik të lartë për t'u infektuar."

Por aktiviteti përjetoi dhe një tragjedi.

Vetëm disa ditë përpara fillimit të konferencës, gjashtë emra të shquar në luftën kundër SIDA-s u vranë kur aeroplani i tyre u rrëzua mbi Ukrainën lindore. Tragjedia shkaktoi trishtim mes pjesëmarrësve, që u shpreh dhe me një minutë heshtje, e drejtuar nga presidentja e Shoqatës Ndërkombëtare të SIDA-s Francoise Barre-Sinoussi:

"Do të kisha dashur të mund ta kishim hapur këtë konferencë në një moment më të lumtur. Përmasat e humbjes së kolegëve dhe miqve tanë janë ende të vështira për t’u shprehur. Ne i bashkohemi dhimbjes së të gjithë atyre në të gjithë botën që kanë humbur familjarë dhe miq në këtë tragjedi të pakuptimtë."

Veprimtaria një-javore solli dhe disa emra të mëdhenj, si ish-Presidenti amerikan Bill Clinton:

"Jemi këtu, në përvjetorin e 20-të të Konferencës, për të festuar përparimin e madh që është bërë, për shkak se bota mori vendimin e duhur për të luftuar SIDA-n dhe tani, për të krijuar një brez të paprekur prej saj. Nuk duhet të guxojmë të heqim dorë. Dhe të gjithë ne duhet të udhëheqim personalisht."

Në një farë mënyre, kjo epidemi tragjike, e cila ka vrarë rreth 39 milionë njerëz që nga fillimi i viteve 1980, ka hapur tema që më parë ishin tabu. SIDA ka detyruar botën të flasë për çështje që konsideroheshin delikate si seksi, çështjet gjinore, pabarazia, dhuna dhe arsimimi. Është një çmim i madh për t’u paguar, por aktivistët thonë se SIDA ka hapur rrugën për një botë më të kuptueshme, më interesante dhe me më shumë gjallëri.

XS
SM
MD
LG