Lidhje

Sida në Afrikë: Atëherë dhe tani


Manifestation contre le Sida

Manifestation contre le Sida

Afrika është vendlindja e HIV-it dhe Sidës. Në asnjë rajon tjetër të botës nuk ka më shumë njerëz që jetojnë me këtë sëmundje ose që kanë vdekur prej saj. Megjithatë, megjithëse ishte epiqendra e epidemisë u deshën vite që të rritej ndërgjegjësimi për të dhe një kohë edhe më e gjatë që të merrte ilaçe që shpëtojnë jetën me një çmim të përballueshëm. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Joe de Capua njofton.

Në fillim të përhapjes së Sidës në Afrikë, nuk kishte emër zyrtar për sëmundjen. Në shumë zona quhej sëmundje dobësuese sepse njerëzit treteshin para se të vdisnin. HIV-i nuk po shkaktonte vdekjen e të moshuarve apo të rinjve në shifra të larta por po shfaroste ata që mbanin familjet, mësues, bujq, nëna dhe baballarë, njerëz që ishin në moshën më të mirë. Gjyshërve po u duhej të rrisnin fëmijët e fëmijëve.

Paragjykimi, diskriminimi dhe supersticioni po hidhnin rrënjë. Injoranca për HIV-in po kontribuonte tek vdekjet. Dhjetra miliona vetë vdiqën nga Sida në Afrikë. Dr. Thomas Frieden, është drejtor i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara.

“Në kulmin e epidemisë së Sidës në Afrikë, dy të tretat e vdekjeve mes të rriturve shkaktoheshin nga Sida. E imagjinoni dot sikur kjo të ndodhte në qytetin tonë, në komunitetet tona? Kishte komunitete ku biznesi i vetëm që kishte rritje, ishte ai i funeraleve”.

Një nga aktivistet më të njohura të Ugandës dhe ndoshta të gjithë Afrikës në luftën kundër Sidës, është Noerine Kaleeba. Ajo filloi ta haste sëmundjen ndërsa punonte si terapiste në spital në vitin 1983. E vetmja gjë që ajo dinte në atë kohë ishte se një sëmundje virale po përhapej veçanërisht mes atyre që punonin në tregëtinë e seksit. Kur pa një të ri në spital që sëmundja e kishte tretur, ajo reagoi ashtu si shumica e

“U ndjeva e frikësuar. Nuk e preka. Një vit më pas im shoq u diagnostikua me Sida”.

Përveç të tjerash ajo kishte dëgjuar se Sida ishte sëmundje nga e cila prekeshin meshkujt homoseksualë në San Francisco, por bashkëshorti i saj Christopher nuk kishte qenë kurrë atje. Por Kaleeba shton se për të kishte më pak rëndësi fakti sesi u prek i shoqi sesa kujdesi për të. Kaleeba tha se ajo nuk u përqendrua tek gjetja e fajit, por e zgjidhjeve.

Kështu ajo krijoi TASO, shoqata kryesore jo-qeveritare në Uganda për luftën kundër Sidës. Nisi si një grup mbështetjeje për familjen e saj dhe të tjerë që vuanin pasojat e sëmundjes.

Ajo thotë se të infektuarit po nenglizhoheshin nga familjet e tyre dhe sistemi shëndetësor. Dhe diagnoza me HIV ishte një dënim me vdekje. Nga 14 personat që themeluan TASO-n bashkë me Kaleeban dhe të shoqin e saj, 12 vdiqën brenda disa vjetësh, përfshirë Christopher-in. Kaleeba thotë se i dukej sikur merrte pjesë çdo javë në një funeral. Por TASO u përqendrua tek ata që ishin gjallë:

“Nëse nuk ke vdekur, je gjallë. Dhe këtu lindi slogani ‘të jetosh pozitivisht’. Ne donim të theksonim faktin që akoma po jeton nëse nuk ke vdekur”.

Në vitin 2000, Afrika e Jugut u bë vendi i parë në zhvillim ku organizohej një konferencë ndërkombëtare për Sidën. Profesor Gerry Coovadia ishte bashkëkryetari i takimit të Durbanit.

“Pa e ekzagjeruar, mund të them që konsiderohej një nga konferencat historike të Sidës në botë, përfshirë ato që janë mbajtur së fundmi. Kjo për arsyen se u diskutuan disa çështje shumë kritike”.

Pika më e debatueshme ishte fakti që presidenti i atëhershëm Thabo Mbeki nuk e pranonte se një virus ishte shkaktari i vetëm i Sidës dhe shumë shkencëtarë dhe aktivistë mendojnë se qëndrimi i tij vonoi shërbime dhe trajtime jetike, një vonesë që shkaktoi humbjen e shumë jetëve.

Sot, qasja tek ilaçet anti-retrovirale po rritet në Afrikë falë Pepfarit, plani emergjent i Presidentit për lehtësimin e Sidës, Fondit Global për të luftuar Sidën, Tuberkulozin dhe Malarien, dhe Fondacionit Clinton. Por ishte një betejë e gjatë dhe e ashpër ligjore në Afrikën e Jugut që hapi dyert.

Konferenca ndërkombëtare e Sidës, mbahet këtë vit në Uashington nga 22 deri në 27 korrik.
XS
SM
MD
LG