Lidhje

Plan veprimi nga dy organizata të njohura në luftën kundër Sidës


Dy organizata të mirënjohura në luftën kundër Sidës kanë nxjerrë një raport të ri ku parashtrojnë planin e tyre për t’i dhënë fund epidemisë së HIV/ Sidës. Raporti publikohet në prag të Konferencës së 19 Ndërkombëtare për Sidën në Uashington. Korrespondenti Joe De Capua njofton.

Shoqata AVAC dhe Foundacioni për Kërkime mbi Sidën, AMFAR kanë publikuar Axhendën e Veprimit për t’i dhënë fund Sidës. Dokumentin përfshin një ndërthurje objektivash afat-shkurtra dhe afat-gjata.

Mitchell Warren është drejtor ekzekutiv i shoqatës AVAC, të njohur më parë si Koalicioni i Fushatës për Vaksinë kundër Sidës.

“Gjatë viteve të fundit kemi vërejtur disa nga përparimet shkencore më shpresë-dhënëse në 30 vjetët e epidemisë. Të marra së bashku, këto përparime na orientojnë drejt mundësisë që fundi i kësaj epidemie nuk është thjesht ëndërr, por mund të bëhet realitet. Shkenca ka treguar se është e mundur”.

Kërkimet shkencore përfshijnë përpjekjet për të provuar se ilaçet anti-retrovirale të shërbejnë jo vetëm për të shpëtuar dhe zgjatur jetën e pacientit, por mbi të gjitha për të parandalur infeksionin. Studimet e fundit tregojnë se prodhimi i një vaksine është i realizueshëm.

“Gradualisht po formohet pjesë-pjesë mozaiku. Por shqetësimi kryesor për ne si aktivistë, qeveritarë dhe studiues duhet të jenë nëse do të kemi pjekurinë e duhur që këto pjesë t’i lidhim si duhet. Përpjekjet tona me fondcionin amFAR janë përqendruar tek masat kritike që duhet të merren gjatë viteve të ardhshme, me shpresën që do të japin rezultat në kërkimet shkencore”.

Axhenda e veprimit veçon vullnetin për të marrë vendime të vështira si esencial në këtë proces:

“Nëse nuk veprojmë brenda 2, 3 apo 4 vjetëve të ardhshëm, për të marrë vendimet e vështira, do të jetë shumë më e vështirë t’i marrim këto vendime pas 4 apo pesë vjetësh, pasi do të jetë shtuar numri i të infektuarve”.

Ndër hapat e tjerë përfshihen “mobilizimi i burimeve të mjaftueshme dhe të qëndrueshme” për të garantuar që lufta kundër epidemisë do të fuqizohet.

Zoti Warren diskuton pikën kritike të epidemisë, kur trajektorja fillon të bjerë. Ai thotë se kjo arrihet me shtimin e numrit të njerëzve që marrin ilaçe dhe përdorimin në masë të mjeteve dhe metodave parandaluese. Momenti kur epidemia fillon të bjerë arrihet kur numri i atyre që marrin mjekim e tejkalon numrin e personave që infektohen. Por kjo kërkon fonde të konsiderueshme në një kohë kur ka krizë buxhetore:

“Nëse Sida do të ishte biznes, ky do të ishte momenti i duhur për të investuar. Kemi arritur përparim të madh përmes shkencës. Tani e kemi të qartë se cilat masa japin rezultat. Nëse nuk shtojmë fondet në masat e suksesshme, do të mbesim prapa në këtë luftë”.

Ndër hapat e tjera që parashtron raporti është identifikimi i synimeve dhe përgjegjësive:

“Duhet të zhvillojmë kontrolle mujore dhe tre-mujore. Duhet ta kemi të qartë se nëse nuk arrijmë ta shtojmë numrin e pacientëve që marrin ilaçe anti-retrovirale, nëse nuk shtohet numri i të rinjve që vijnë vullnetarisht për të kërkuar të bëhen synet si masë parandaluese, nëse nuk i analizojmë këto masa në baza mujore dhe tre-mujore, nuk do të arrijmë të rregullojmë kursin dhe t’i shfrytëzojmë më së miri burimet”.

Ai thotë se shpesh kontrolli bëhet çdo dy vjet, për të përkuar me ciklin e miratimit të fondeve. Zoti Warren nënvizon se tashmë është e lehtë të imagjinojmë një brez pa Sidë, siç ka deklaruar Presidenti Barak Obama dhe Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton. Por ai shton se është shumë më e vështirë të parashikohet një datë e caktuar kur ky vision mund të bëhet realitet.
XS
SM
MD
LG