Lidhje

Përparime madhore në luftën kundër Sidës


Në korrik, Shtetet e Bashkuara organizojnë konferencën më të madhe të Sidës në botë, për herë të parë që prej më shumë se 20 vjetësh. Mbi 20 mijë vetë pritet të mblidhen në Uashington për të marrë pjesë. Përfaqësuesi i qeverisë amerikane për luftën kundër Sidës thotë se gjatë tre dekadave të fundit është bërë përparim i konsiderueshëm në luftën kundër kësaj sëmundjeje.

Si Presidenti Obama ashtu edhe Sekretarja e Shtetit Clinton kanë thënë se jemi më pranë një brezi pa Sidë. Koordinatori amerikan për luftën kundër Sidës në botë, Eric Goosby është në krye të përpjekjeve për ta arritur këtë qëllim.

“Këto fjalë nga Presidenti dhe Sekretarja e Shtetit mbështeten në një sërë zbulimesh shkencore, kryesisht të financuara nga Shtetet e Bashkuara, që kanë sjellë ndryshime themelore gjatë vitit të kaluar. Dhe falë shkencës, bota do të mblidhet për konferencën Sida 2012 me mesazhin se ne po e ndryshojmë prirjen. Kjo është tema e konferencës. Dikur pasojat e kësaj sëmundjeje kishin përfshirë botën ndërsa sot lufta ndaj saj po bashkon botën. Shpresa me të vërtetë po zë vendin e dëshpërimit”.

Përparimet e fundit përfshijnë vaksina premtuese, mikrobicide dhe studime për kurim. Në fillim të viteve 1980 në San Francisco, zoti Goosby thotë se e kishte jetuar vetë dhimbjen dhe humbjen e shkaktuar nga HIV-i dhe Sida. Në mungesën e kurave, qindra nga pacientët e tij vdiqën nga sëmundja që atëherë ishte misterioze. Kjo ndryshoi në mes të viteve 1990 kur ilaçet e para anti-retrovirale u zbuluan dhe shpëtuan jetë njerëzish. Ai pastaj e ktheu vëmendjen tek Afrika nën-Sahariane. Atje situata ishte ndryshe.

“Sida po shfaroste një brez të tërë dhe po i kthente mbrapsht përparimet në kujdesin shëndetësor në Afrikë. Spitalet ishin të mbushura me një numër të madh njerëzish që po vdisnin. Shpesh kishte disa njerëz në një krevat, në tokë. Ata nuk kishin në dispozicion ilaçet anti-retrovirale që ishin në dispozicion në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, kështuqë infektimi nga HIV ishte dënim me vdekje”.

Zoti Goosby thotë se Sida kërcënonte themelet e shoqërisë afrikane.

“U mori jetën njerëzve në kulmin e moshës në një kohë që ata duhej të ishin duke u kujdesur për familjet e tyre. Miliona fëmijë mbetën jetimë, që nuk shkonin dot në shkollë pa mbështetjen e prindërve të tyre”.

Përveç kësaj, sëmundja frenoi rritjen ekonomike në shumë vende. Ai thotë se ata mbetën të mbërthyer në një cikël varfërie.

“Kjo nga ana e saj krijoi paqendrueshmëri shoqërore, duke e bërë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ta identifikonte Sidën si çështje sigurie në vitin 2001”.

Sot HIV dhe Sida nuk janë më domosdoshmërisht dënime me vdekje në Afrikën nën-Sahariane falë mundësisë për përdorimin e ilaçeve që shpëtojnë jetën.

“Para një dekade, pothuajse askush në Afrikë nuk po kurohej. Sot 6.6 milionë, burra, gra, fëmijë, i janë nënshtruar terapisë antiretrovirale në vendet në zhvillim dhe shumica e tyre janë në Afrikën nën-Sahariane”.

Kjo i atribuohet kryesisht PEPFAR-it, Planit Emergjent Presidencial për Lehtësimin e Sidës. Programi filloi në kohën e Presidentit George W. Bush dhe vazhdon me administratën e Presidentit Obama. Dr. Goosby është në krye të Pepfarit.

“Kontributi i Shteteve të Bashkuara është i jashtëzakonshëm. Përmes PEPFAR-it, deri vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara bënin të mundur trajtimin e 4 milionë vetëve. Kjo shifër është rritur në mënyrë të konsiderueshme krahasuar me 1.7 milionë në vitin 2008, edhe në kushtet e kufizimeve buxhetore”.

Vitin e kaluar, Pepfari ndihmoi për vënien në dispozicion të ilaçeve për të parandaluar transmetimin e HIV-it nga nëna tek fëmija për 660 mijë gra. Po ashtu mbështeti analizat dhe këshillimin për 40 milionë vetë në vitin 2011. PEPFAR së bashku me Fondin Global për të luftuar Sidën, Tuberkulozin dhe Malarjen ka sponsorizuar disa programe në botën në zhvillim. Kështu, shumë sisteme të kujdesit shëndetësor janë forcuar. Goosby thotë se ekzistojnë njohuritë për të arritur synimin e një brezi pa Sidë.

“Ne e dime se ç’duhet bërë për t’i dhënë fund kësaj epidemie dhe unë kam shpresa të mëdha që mund ta realizojmë këtë objektiv. Këtë shpresë e shohim tek shkenca që udhëheq përpjekjet tona, shpresë që e shohim tek solidariteti i botës për të ndryshuar valën e shkatërrimit të kësaj sëmundjeje. Kjo shpresë ka zëvendësuar dëshpërimin. Kjo shpresë na bën që të mos reshtim përpjekjet tona të mëtejshme”.

Ambasadori Goosby i bëri këto komente në Institutin Brookings në Uashington. Hera e fundit që Shtetet e Bashkuara organizuan një konferencë ndërkombëtare për Sidën ishte në vitin 1990 në San Francisco. Një arsye madhore që kaloi kaq kohë pa e mbajtur konferencën në Amerikë ishte ndalimi i udhëtimit që Shtetet e Bashkuara kishin vendosur për të infektuarit me HIV. Presidenti Bush filloi përpjekjet për ta hequr këtë masë dhe Presidenti Obama e përfundoi atë kur mori detyrën. Konferenca e 19 ndërkombëtare për Sidën do të mbahet nga 22 deri në 27 korrik.
XS
SM
MD
LG