Lidhje

Stigma për të prekurit nga SIDA


Në komunitetin e homoseksualëve afrikano-amerikanë në Uashington, stigma dhe frika pengojnë shumë prej tyre të përballen me krizën e SIDËs. Në vazhdim do t’ju tregojmë historinë e aktivistit Christian Paige-Bass, një i ri i prekur nga virusi HIV, i cili kishte vetë frikë rreth kërkimit të trajtimit, por tani, ai inkurajon meshkujt e tjerë homoseksualë në qytet të kërkojnë trajtim mjekësor.“Më pëlqen shumë të këndoj. Mendoj se Zoti më dha talent që ta përdor,” thotë Christian Paige-Bass. Atij i pëlqen ta ngrejë zërin edhe me një mesazh gjithëpërfshirës.

“Nuk duam ta quajmë veten një kishë homoseksualësh. Duam ta quajmë veten radikalisht përfshirës. Kemi anëtarë heteroseksualë dhe transeksualë gjithashtu që frekuentojnë kishën.”

Por qyteti i vogël në Karolinën e Veriut, ku u rrit Christian-i ishte shumë ndryshe. Në jugun e Shteteve të Bashkuara, vlerat konservatore janë të theksuara dhe mungesa e tolerancës ndaj homoseksualëve e zakontë.

“Nuk e dija se çfarë ishin homoseksualët. Sepse fjala nuk përdorej kurrë. Fjala e përdorur zakonisht ishte ‘pederast.’ Nuk dija asgjë rreth homoseksualëve. Kështu ishte....nuk e pëlqej atë qytet.”

Në vitin 2001, Christian-i dhe e ëma e tij, një përdoruese droge me shiringa, u diagnostikuan me virusin HIV.

Kur ajo vdiq pesë vjet më vonë nga SIDA, Christian-in e pushtoi frika.

“Pashë mbi komodinë ilaçet e saj. Dhe i vështrova për pak kohë. Mendimi që më vinte në mend ishte ‘kështu do të jetë vdekja ime.’ Dhe nga ajo ditë nuk doja të pija më ilaçe.”

Duke ndjerë nevojën të ndryshimit të mjedisit, ai vendosi të vizitonte disa miq në Uashington.

“Erdha në Uashington dhe më pëlqeu shumë. Pashë se sa liri kanë homoseksualët këtu dhe desha të qëndroja.”

Ndryshimi i mjedisit e ndihmoi atë të ndryshonte mendim edhe për trajtimin e tij. Ai u njoh me Justin Goforth, një infermier në Klinikën Whitman-Walker.

“Në fillim ai nuk e pranonte idenë e trajtimit për virusin HIV. Mënyra si kishte vdekur e ëma dhe numri i madh i ilaçeve që ajo merrte në kohën para se të vdiste kishte ndikuar fort mbi të.. Por tani ai përkrah njerëzit që duan të trajtohen.”

Aktivizmi i Christian-it e ka bërë atë që të jetë gjithmonë i pranishëm në klubet homoseksuale të Uashingtonit.

“Të shkuarit në klub është punë. Disa herë njerëz më kanë pyetur: si e ke numrin? Emailin? Si mund të të kontaktoj? Sepse ‘sapo jam diagnostikuar’ ose ‘po dal me dikë që është me HIV .’ Disa prej tyre i takoj për një moment dhe pastaj nuk i shoh më, dhe më dërgojnë SMS kur kanë nevojë për mua. Por qëndrojmë në kontakt.”

Christian-i punon si model.

“Kur unë u diagnostikova dhe mjeku më tha se kisha dy vjet për të jetuar, doja t’i bëja njerëzit të kuptonin se në qoftë se merr ilaçet e duhura, do të vazhdoni të jeni të shëndetshëm dhe të dukeni mirë. Mund të jetosh gjatë. Nuk sheh më pacientë me SIDË të vuajnë siç vuanin më parë në vitet '80. Kur përdor fjalën SIDË të gjithë largohen. Kur përdor fjalën HIV, njerëzit qëndrojnë. Përdor fjalët ‘Unë jam pozitiv 'dhe askush nuk lëviz. Por nëse përdor fjalën SIDË të gjithë arratisen.”

Christian-i vazhdon të përballet me stigmën e tij dhe inkurajon meshkuj të tjerë homoseksual për të kërkuar shërbime shëndetësore.

XS
SM
MD
LG