Lidhje

Shqipëri, shkëmbime akuzash për rendin


Interpelancë për situatën e sigurisë. Rama: Opozita bën politikë me dizinformim të dhënash për kriminalitetin. Topalli: Gjendja dëshpëruese. Kryeministri s’ka lidhje me realitetin

Në Shqipëri cështja e sigurisë dhe Rendit publik ishin tema e një interpelance me kryeministrin Edi Rama, kërkuar nga ish kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli. Kryeministri Edi Rama tha shifrat e kriminalitetit në vend janë ulur, ndërsa premtoi një përmirësim të mëtejshëm të gjendje. Por sipas zonjës Topalli, vendi është një një gjendje pasigurie. Ajo akuzoi kryeministrin se po mashtron me shifrat. Interpelanca me kryeministrin u zhvillua pas një nisje të tensionuar të seancës ku sërish deputetët e opozitës u larguan nga salla.
Interpelancë për rendin
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:40 0:00


Ish kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli u rikthye në sallë vetëm për interpelancën me kryeministrin Edi Rama, të kërkuar prej saj. Bashkë me të rizunë vend edhe disa deputetë të tjerë demokratë. Zonja Topalli foli për një gjendje dramatike të rendit dhe sigurisë në vend: “Rendi dhe siguria në vend janë dëshpëruese. Situata është e frikshme për jetën dhe pronën. Askush nuk ndihet më i sigurt. Shqiptarët zgjohen në mëngjes dhe sapo hapin sytë dëgjojnë ose për shpërthim tritoli, ose për vrasje, ose për humbje jete nga aksidente. Por ky është vetëm fillimi. Gjatë ditës dëgjojnë për maska, apo grabitje me maska e kallashnikov”.

Përgjigja e kryeministrit Rama ishte më së shumti një kundërakuzë ndaj asaj se cfarë e djathta kishte bërë kur ishte në pushtet, duke deklaruar se kishin gjetur një polici të rrënuar dhe drejtues të lidhur me krimin. Ai tha se opozita po bën një lojë politike dizinformimi me shifrat, ndërsa shtoi se nga shtatori e deri në fund të shkurtit krahasuar me të njejtën periudhë të mëparshme numri i vrasjesve dhe viktimave ishte më i ulët. Ai foli për një rritje të fortë të drogës së sekuestruar, si dhe të arrestimeve të personave në kërkim ndërkombëtar.

Zoti Rama hodhi poshte akuzat për largime masive në polici: “Nga mes shtatori 2013 kur ne erdhëm në qeveri, deri në fund të shkurtit, janë liruar nga detyra 378 punonjës policie, ndërsa nga shtatori 2005 dhe në 2006 kur ju morët pushtetin keni larguar 1003 punonjës. Ndërsa në gjithë harkun kohor të qeverisjes suaj keni larguar 3188 punonjës. E dini se sa lëvizje keni bërë brenda për brenda policisë nga 2010 deri në 2013? 9866 lëvizje”.

Kryeministri foli edhe për shpërthimet me tritol të cilat janë kthyer në një fenomen shqetësues. Rasti më i fundit ishte gjatë orëve të natës së mbrëmshme në Tiranë, në derwn e banesës së një personi i cili sipas mediave kishte aktivitet në fushën e ndërtimit. Kryeministri bëri sërish një krahasim shifrash: “Fenomen shumë problematik, me të cilin përballimi. Nuk u shfaq në këta 6 muaj si një sëmundje e re, por ka ekzistuar si problem i rëndë edhe më parë. Shikoni shifrat e 2013. Nga 87 raste të përdorimit të eksplozivit, 60 prej tyre kanë ndodhur nga janari në mes të shtatorit, ndërsa pjesa tjetër deri në fund të dhjetorit”.

Zonja Topalli e konsideroi të turpshme përgjigjen e kryeministrit mbi situatën e rendit dhe sigurisë në vend: “Zoti kryeministër ju nuk keni lidhje me realitetin,me atë që po ndodh. Gjuha juaj ishte gjuhë tritoli. Por nëse jeni krenar për këtë gjendje në të cilën është sot Shqipëria, përse të mos e qeverisi Zani Caushi. Cfarë dallimi ka? Ju gënjyet, por kriminaliteti nuk ndryshohet duke falsifikuar shifrat”.

Edhe interpelanca, tonet e fjalët e këmbyera reflektojnë tensionin që prej kohësh po mbizotëron në sallën e parlamentit. Seanca e sotme nisi gjithashtu me replika mes palëve lidhur me vendimin për moszhvillim të seancës që ishte planifikuar për javën e shkuar. Opozita e cilësoi si shkeljen e radhës së rregullores së parlamentit dhe braktisi punimet e tij.
XS
SM
MD
LG