Lidhje

Sigurimi i vaksinave për vendet në zhvillim

  • Vindushi Sinha

Sigurimi i vaksinave për vendet në zhvillim

Sigurimi i vaksinave për vendet në zhvillim

Një konsorcium publik dhe privat u ka kërkuar donatorëve 3.75 miliard dollarë për të ndihmuar në sigurimin e vaksinave që mund të shpëtojnë jetën e miliona fëmijëve në të gjithë botën deri në vitin 2015. Aleanca Globale për Vaksinat dhe Imunizimin u takua sot me një grup donatorësh në një konferencë për mbledhjen e fondeve në Londër, ku themeluesi i Mikrosoftit Bill Gejts premtoi një miliard dollarë, ndërsa qeveria britanike 1.32 miliard deri në vitin 2015.

Organizatat ndërkombëtare të shëndetësisë thonë se vaksinat shpëtojnë dy milion jetë çdo vit, dhe mund të shpëtonin dyfishin e këtij numri nëse do t’u ofroheshin fëmijëve në botën në zhvillim. Gjatë 10 viteve të ardhshme, Fondacioni i Bill dhe Melinda Gejts dhe Aleanca Globale për Vaksinat dhe Imunizimin, e njohur si GAVI, shpresojnë të imunizojnë më shumë fëmijë nga sëmundjet kryesore infektive për të ulur numrin e vdekjeve.

Për ta përshpejtuar prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinës, fondacioni Gejts ka filluar nismën “Dekada e re e vaksinave.” Nikol Bejts punon për Fondacionin e Bill dhe Melinda Gejts.

“...nëse i përshpejtojmë përpjekjet për zbulimin, prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave, ne mund t’ua vëmë ato në dispozicion njerëzve më shpejt dhe kjo do të thotë se mund të shpëtojmë më shumë jetë.”

Kompanitë e mëdha të ilaçeve njoftuan javën e kaluar se do të japin vaksina me çmim të reduktuar për vendet më pak të zhvilluara. Mjekët thonë se dhënia e vaksinave për sëmundje të tilla vdekjeprurëse si difteria, tetanozi, kolla e mirë, hepatiti B dhe influenza e tipit B mund të shpëtojnë më shumë se 6 milion jetë deri në vitin 2020. Aleanca GAVI ndihmon në pagesën e këtyre vaksinave në 72 vende me të ardhura të ulëta. Dejvid Ferreira, i cili punon për GAVI-n thotë se në disa raste, kostoja mund të ulet deri në 67% për dozë.

“Është shumë e rëndësishme që çmimet e vaksinave të jenë në një nivel të përballueshëm dhe në një treg normal që nuk i shërben vetëm botës së pasur.”

Ekspertët thonë se kostoja e sjelljes së një vaksine në treg është mes 500 milion dhe një miliard dollarëve, dhe kjo kosto rritet kur sëmundja zhvillohet në mënyra të ndryshme. Një studim i ri tregon se vaksinat jo vetëm që shpëtojnë miliona jetë, por kursejnë edhe miliarda dollarë në kosto trajtimi dhe humbjeje produktiviteti ekonomik. Studimi thotë se përfitimet ekonomike arrijnë në miliarda dollarë më shumë.

Dikur, Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerësonte se kostoja për çrrënjosjen e lijës ishte rreth 300 milion dollarë, por kursimet vjetore pasi sëmundja nuk duhej luftuar më, arrinin në rreth një miliard dollarë. Kritikët thonë se organizimi i financimeve të GAVI-t nuk është i qëndrueshëm, por Dejvid Ferreira nuk është dakort.

“Vendet në zhvillim vazhdojnë të përparojnë dhe është e rëndësishme që ata të marrin përsipër imunizimin dhe programe të tjera zhvillimi dhe t’i financojnë ndërkohë që u shtohet mundësia për ta bërë një gjë të tillë.”

Qeveritë dhe sektori privat shpesh i bashkojnë forcat për nxjerrjen e një vaksine në treg, dhe vaksinat kundër meningjitit A dhe pneumonisë gjenden tani në vendet e varfëra me më pak se 50 cent për dozë. GAVI thotë se vaksina të tjera mund të vihen në dispozicion kur të ketë më shumë fonde.

XS
SM
MD
LG