Lidhje

Ndalimi i simboleve


Në disa vende dhe rajone rreth kufijve të ish Bashkimit Sovjetik simbolet komuniste po ndalohen - drapri dhe çekani si dhe yjet me pesë cepa.

Në Lviv, Nacionalistët e Ukrainës perëndimore luftuan vitin e kaluar për të penguar që komunistët të vendosnin flamuj të kuq në monumentin e qytetit kushtuar Luftës së Dytë Botërore. Këtë vit, qyteti i Lvivit ndaloi të gjitha shfaqjet publike të simboleve komuniste dhe naziste.

Ndalimi i draprit me çekanin dhe i kryqit të thyer nazist vjen pas ndalimesh të ngjashme në shtetet balltike, në Gjeorgji, dhe në shumë vende të Evropës Lindore. Në Moldavi zbatimi i ndalimit të simboleve fillon më 1 tetor.

Përballë pallatit të Operas së Lvivit, ku më parë ngrihej një statujë e Leninit, tani ndodhet një burim. Dhe, pranë stacionit hekurudhor, ku dikur kishte një burim, tani gjendet një statujë e udhëheqësit të organizatës anti-sovjetike të nacionalistëve ukrainas, Stepan Bandera.

Sergiy Kudelia është ekspert i shkencave politike në Lviv.

"Monumentet e reja që shohim të ndërtohen janë monumente të heronjve kombëtarë, të atyre që konsiderohen si heronj këtu, dhe që luftonin Bashkimin Sovjetik."

Por, në Moskë, ka 93 statuja dhe buste të Leninit. Shumë rusë, prej këndvështrimit të tyre të historisë, thonë se Bashkimi Sovjetik ka qenë një forcë që solli përparim.

Alexandri, një qytetar rus i cili imiton Leninin për turistët që vizitojnë Sheshin e Kuq, thotë se "Ukraina u zhvillua ekonomikisht dhe kulturalisht si pjesë e Bashkimit Sovjetik dhe janë vetëm nacionalistët e Ukrainës ata që kundërshtojnë simbolet komuniste."

Por sipas Taras Voznyak, redaktor i një reviste në Lviv, rusët nuk mund të heqin dorë nga këndvështrimi perandorak i botës.

Ai shprehet se Rusia moderne e sheh veten si pasardhëse të Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Sovjetike. Ukraina, thotë ai, gjithmonë ka luajtur një rol vartës ndaj Moskës dhe nuk mund ta konsiderojë veten si një pasuese të Bashkimit Sovjetik.

Në përplasjen e fundit të pikëpamjeve historike, Kremlini financoi filmin në rusisht "Ndeshja", në lidhje me rezistencën sovjetike ndaj nazistëve në Ukrainë. Nacionalistët ukrainas u përpoqën në muajin maj që ta ndalonin shfaqjen e filmit, sepse të gjithë folësit e gjuhës ukrainase paraqiteshin si bashkëpunëtorë të nazistëve.

Këngë dhe muzikë mund të dëgjoheshin në një paradë të qindra marshuesve me pishtarë në duar - të gjithë të veshur me të zeza. Ajo nuk u mbajt në Berlin në vitin 1930, por vitin e kaluar, në Lviv. Marshuesit janë përkrahës të Svobodas, një parti nacionaliste që tani kontrollon Këshillin e qytetit të Lvivit.

Svoboda pritet që gjatë zgjedhjeve në tetor të fitojë vende në parlamentin kombëtar të Ukrainës dhe askush nuk mendon se, të paktën për momentin, flamujt e kuq mund të kthehen në Lviv.
XS
SM
MD
LG