Lidhje

Sindikatat e punëtorëve amerikanë zgjeruan veprimtarinë në vitet 1930


President Franklin Roosevelt shown at his desk at the White House
President Franklin Roosevelt shown at his desk at the White House

Politikat e Kursit të Ri të Presidenti Franklin Ruzvelt gjatë viteve 1930 ndryshuan fytyrën e qeverisë amerikane. Presidenti i ri dhe Kongresi miratuan ligje që i ndihmuan bujqit, fuqizuan sistemin bankar dhe krijuan vende pune për miliona banorë. Një nga rezultatet e politikave të asaj periudhe ishte forcimi i sindikatave të punëtorëve në Amerikë. Materiali në vijim i hedh një vështrim presidencës së zotit Ruzvelt.

Sindikalistët nuk arritën suksese në organizimin e punëtorëve në Shtetet e Bashkuara në fillim të shekullin XX. Tre presidentë republikanë dhe një prirje mbarëkombëtare konservatorizmi, i penguan sindikatat që të shtonin numrin e anëtarëve apo të rrisnin fuqinë e tyre. Më 1929, roli i sindikatave ra edhe më tej me fillimin e Depresionit të Madh ekonomik.

Në vitin 1933, sindikatat e punëtorëve amerikanë kishin më pak se tre milionë anëtarë. Por nga fundi i viteve ’30, ato numëronin mbi 10,5 milionë anëtarë.

Ligjet e reja të propozuara nga administrata e Presidentit Ruzvelt bënë të mundshme rritjen e sindikatave të punëtorëve. Ligji i Rimëkëmbjes Industriale i vitit 1933 u dha udhëheqësve sindikalistë të drejtën për të organizuar dhe përfaqësuar punëtorët. Gjykata e Lartë vendosi se ligji ishte jokushtetues. Por një tjetër ligj, Mbi Marëdhëniet e Fuqisë Punëtore, ndihmoi sindikatat që të rrisnin fuqinë e tyre.

Shumica e udhëheqësve të sindikatave tradicionale të Amerikës nuk po arrinin t’i kuptonin aq shpejt mundësitë e reja. Ata ishin konservatorë dhe përfaqësonin punonjësit me aftësi të caktuara, si për shembull zdrukthëtarët ose metalpunuesit. Andaj, ata bënë shumë pak për të organizuar punëtorët me profesione të tjera.

Por një grup i ri i udhëqësve të punëtorëve përdori ligjet e reja për të organizuar sindikatat sipas llojit të industrisë, jo për nga aftësitë. Ata besonin se punëtorët do të kishin shumë më tepër pushtet në qoftë se ata bashkoheshin me punëtorët e tjerë në të njëjtën fabrikë për të bërë kërkesa të përbashkëta. Këta udhëheqës të rinj filluan të organizonin sindikata për industrinë e automobilëve, industrinë e çelikut dhe industri të tjera të mëdha.

Udhëheqësi i lëvizjes së re ishte kreu i minatorëve, Xhon Luis. Ai ishte një udhëheqës i fuqishëm me shtat të hedhur e mendime të mprehta dhe kishte filluar të punonte në minierat e qymyrit në moshën dymbëdhjetë vjeçare.

Zoti Luis u bë një udhëheqës i fuqishëm dhe i suksesshëm i xehetarëve, por shqetësohej edhe për punonjësit në industritë e tjera. Ai besonte se shumica e drejtuesve të Federatës Amerikane të Punës po bënin pak për t’i ndihmuar ata.

Për këtë arsye, zoti Luis dhe krerët e disa sindikatave të tjera formuan grupin e tyre për të organizuar sindikatat sipas industrisë, jo për nga aftësitë. Ata e quajtën grupin Kongresi i Organizatave Industriale (CIO) dhe u përpoqën për të fituar anëtarë menjëherë.

Kongresi i Organizatave Industriale organizoi me sukses punëtorët në disa industri të mëdha dhe e arriti këtë vetëm me punë dhe përpjekje të vazhdueshme. Beteja e parë e madhe e Kongresit të Organizatave Industriale ishte kundër kompanisë gjigante të automobilave “General Motors”. Më vonë, në vitin 1935, punëtorët në disa fabrika të General Motors-it u hodhën në grevë, duke ndenjur ulur pranë makinave të punës për të kërkuar paga dhe kushte më të mira.

Pas 44 ditësh, General Motors u dorëzua, duke pranuar se sindikata e punëtorëve të autoindustrisë “kishte të drejtë të përfaqësonte punëtorët” e kompanisë. General Motors hyri në negociats për një marrëveshje të re pune.

Beteja kundër kompanisë “Ford Motor” ishte më e hidhur. Rojet e kompanisë Ford rrahën sindikalistët dhe punëtorët. Por kompania më në fund ra dakord për të negociuar me sindikatën e re të punëtorëve.

E njëjta histori u vërtetua në industrinë e çelikut, por udhëheqësit e rinj të sindikatave arritën të bëhen përfaqësues zyrtarë të punonjësve të çelikut në të gjithë vendin.

Brenda vitit 1938, Kongresi i Organizatave Industriale kishte fituar betejën për të organizuar industritë kryesore. Në vitet e mëvonshme, ai do të bashkohet me organizatën më tradicionale, Federata Amerikane e Punës, për të formuar bashkimin që edhe sot mbetet grupi më i rëndësishëm i sindikatave në Amerikë, i njohur me shkurtesën AFL-CIO.

XS
SM
MD
LG