Lidhje

Sindikatat, kundër marrëveshjeve të reja të tregtisë së lirë


Sindikatat, kundër marrëveshjeve të reja të tregtisë së lirë
Sindikatat, kundër marrëveshjeve të reja të tregtisë së lirë

Kreu i federatës më të madhe sindikaliste në Shtetet e Bashkuara thotë se të metat në marrëveshjet tregtare që ka nënshkruar Amerika janë ndër faktorët që po shkatërrojnë klasën e mesme të vendit. Presidenti i bashkimit sindikalist AFL-CIO, Richard Trumka thotë se nevojitet një mendësi e re për të vendosur theksin tek krijimi i vendeve të punës dhe jo përfitimet për korporatat. Komentet e tij bëhen ndërkohë që janë ndezur debatet në Uashington lidhur me marrëveshjet tregtare me Korenë e Jugut, Kolumbinë dhe Panamanë:

Në fjalimin e tij mbi gjendjen e vendit, Presidenti Barak Obama i bëri thirrje Kongresit të veprojë me shpejtësi për të ratifikuar marrëveshjen e tregtisë së lirë me Korenë e Jugut. Ai tha se kjo marrëveshje do t’u hapte tregje të reja mallrave amerikane.

“Sa më shumë të eksportojmë, aq më shumë vende pune hapim këtu në vend”.

Por kreu i bashkimit më të madh sindikalist në vend i vihet kundër këtij pohimi. Presidenti i Federatës AFL-CIO, Richard Trumka thotë se këto marrëveshje tregtare problematike janë pjesërisht përgjegjëse për papunësinë e lartë në Shtetet e Bashkuara:

“Politikat tona tregtare dhe ekonomike nuk u kanë shërbyer interesave të Shteteve të Bashkuara si fuqi botërore, për t’i ndihmuar të shtojnë vende pune apo të sigurojnë epërsinë konkurruese që u nevojitet”.

Këto komente zoti Trumka i bëri ndërkohë që ligjvënësit përgatiten të debatojnë një variant të ri të marrëveshjes për tregti të lirë me Korenë e Jugut. Përkrahësit e marrëveshjes thonë se pasi të ratifikohet, marrëveshja do të rrisë ndjeshëm eksportet e makinave amerikane në këtë vend, duke hapur 70 mijë vende pune.

Por zoti Trumka thotë se marrëveshja ka gjasa të transferojë vende pune në Azi.

“Mendojmë se në bilancin përfundimtar kjo marrëveshje do të rrezikojë shumë vende të mira pune. Sipas Institutit për Politika Ekonomike, marrëveshja mund të shkurtojë 150 mijë vende të tjera pune”.

Zoti Trumka i bën thirrje Kongresit të hedhë poshtë marrëveshjen e tregtisë së lirë me Kolumbinë, ku ai thotë se vjet u vranë 51 drejtues sindikatash. Republikanët po përpiqen për miratimin e marrëveshjeve të ngrira të tregtisë së lirë me Kolumbinë dhe Panamanë. Senatori republikan Rob Portman, ish-përfaqësues amerikan i tregtisë, thotë se vonesa të mëtejshme do të dëmtonin eksportuesit amerikanë:

“Bazuar në atë që ka thënë vetë presidenti dhe kabineti i tij, duket se ka baza për të ecur përpara për miratimin e disa marrëveshjeve. Jam shumë optimist që mund ta arrijmë shpejt miratimin”.

Administrata e Presidentit Obama kërkon miratimin e marrëveshjes së tregtisë me Korenë e Jugut brenda 1 korrikut, kur hyn në fuqi një marrëveshje e ngjashme mes Bashkimit Evropian dhe Koresë së Jugut. Zoti Trumka thotë se administrata duhet të hartojë një politikë tregtare që nuk ka si përparësi përfitimet për korporatat, por sigurinë e vendeve të punës për amerikanët.

XS
SM
MD
LG