Lidhje

Sindroma e Shikimit në Kompjuter

  • Zulima Palacio

Sindroma e Shikimit në Kompjuter

Sindroma e Shikimit në Kompjuter

Sindroma e Shikimit në Kompjuter është një gjendje shëndetësore e shoqëruar me pasionin e tepruar për përdorimin e pajisjeve dixhitale – që nga kompjuterat tek telefonat celularë, lojrat elektronike dhe librat elektronikë. Mjekët llogarisin se gati 80 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuar mund të vuajnë prej tij. Dhe kjo nuk përfshin numrin në rritje të fëmijëve që kanë probleme me sytë për shkak të pajisjeve elektronike.

Në se kalon më shumë se tre orë në ditë përpara kompjuterit apo një terminali elektronik, ke një farë niveli të asaj që mjekët e quajnë Sindroma e Shikimit në Kompjuter. Dr. Michael Duenas është me Shoqatën Amerikane të Optometrikës.
"Kjo shkakton lodhje, mund të shkaktojë dhimbje koke, të qafës të shtyllës kurrizore dhe mund të shkaktojë probleme si diplopia apo vizioni i dyfishtë si dhe shikimin e turbullt".

Dr. Rachel Bishop është shefe e shërbimeve të konsulencës në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë në Uashington.
"Kjo nuk dëmton sytë, nuk shkakton sëmundje të zakonshme si glakoma apo diabeti, nuk është sëmundje si këto. Ajo shkakton tharje të sipërfaqes dhe shpërqëndrim të syrit".

Dr. Bishop thotë se studimet tregojnë se njerëzit nuk i mbyllin sytë aq shumë kur janë të përqendruar në kompjuter dhe kjo shkakton tharje dhe lodhje të syve. "Ka një muskul në sy që përqëndron syrin në çfarëdo që sheh. Kompjuteri është më larg sesa libri zakonisht dhe në se përqëndrimi vazhdon për orë të tëra, muskuli lodhet".

Dr. Duenas thotë se sindroma mund të shkaktojë ulje të rendimentit tek të rriturit dhe paaftësi tek fëmijët e shkollave.
"Fakti që edhe fëmijët tani janë në kompjuter për një kohë të gjatë dhe shumë luajnë lojra elektronike ku përdorin duart për të mbajtur pajisje i vë ata në rrezik për sistemin e shikimit".

Mjekët pohojnë se parja e një ekrani elektronik është ndryshe nga ajo e një materiali të shtypur. Materialet e shtypura kanë kontrast më të madh ndërsa ekrani elektronik është më i vështirë për tu sjellë në fokus dhe kërkon më shumë mundim.
"Kjo ka të bëjë me optimalizimin e kontrastit, të dritës dhe uljen e shqetësimeve nga rezatimi që mund të sforcojë sytë".
Por Dr. Duenas thotë se shifrat tregojnë se të rinjtë kanë probleme në rritje.

"Ne po shohim gjithnjë e më shumë fëmijë me problemesh sysh për shkak të qëndrimit në kompjuter dhe pajisje të tjera elektronike".

Mjekët thonë se disa hapa të thjeshtë mund të zgjidhin disa probleme. Për shembull syzet optike.
"Janë syze që quhen profesionale janë ato që në vend të distancës tradicionale që kanë syzet për të lexuar afër apo larg, ato vendosin distancën e kompjuterit lart pasi aty përqëndrohet shikimi dhe ato për të lexuar poshtë".

Mjekët rekomandojnë përdorimin e lubrifikantëve për sytë dhe çlodhjen çdo 15 minuta si dhe një gjë tjetër.
"Lartësia e kompjuterit është e rëndësishme. Ai duhet të jetë rreth 10 presje 2 centimetra poshtë rrezes së shikimit. Nuk duhet të ngresh kokën për të parë kompjuterin".

Megjithëse zgjidhja duket e thjeshtë, mjekët presin që sindroma e shikimit në kompjuter të përkeqësohet ndërsa gjithnjë e më shumë filma dhe programe televizioni janë tani në internet dhe ka një numër në rritje të pajisjeve të vogla elektronike.

XS
SM
MD
LG