Lidhje

Singh: Do të largohem nga politika pas zgjedhjeve të majit


Kryeministri i Indisë Manmohan Singh ka njoftuar se do të largohet nga politika pas zgjedhjeve të këtij viti. Popullariteti i qeverisë së tij ka rënë dhe udhëheqësi indian u detyrua dje t’u dilte në mbrojtje politikave të tij në një konferencë të rrallë për shtyp:

Kryeministri Manmohan Singh thotë se nuk do të kthehet në post edhe nëse forca e tij politike Partia e Kongresit siguron një mandat të tretë. Kryeministri 81 vjeçar ka mbajtur postin më të lartë në vend për afro 10 vjet.

Sipas parashikimeve, Partia e Kongresit nuk ka gjasa të fitojë në zgjedhjet e majit. Por zoti Singh shprehu shpresën se pasuesi i tij do të jetë nga koalicioni qeverisës.

Rahul Gandhi, i biri i Presidentes së Partisë së Kongresit Sonia Gandhi, pritet të jetë kandidati i partisë për zgjedhjet e ardhshme. Kryeministri e mbështeti këtë zgjedhje:

"Rahul Gandhi ka një karrierë të shkëlqyer për t’u zgjedhur kandidat dhe shpresoj se partia jonë do ta marrë një vendim të tillë në kohën e duhur”.

Zoti Singh u shpreh me tone të forta kritike ndaj kandidatit për kryeministër Narendra Modi nga partia opozitare Bharatiya Janata, duke thënë se zgjedhja e tij do të ishte shkatërrimtare për vendin. Partia nacionaliste hinduiste BJP mundi Partinë e Kongresit në një raund zgjedhjesh lokale, duke rritur shpresat e kësaj partie për të formuar qeverinë e ardhshme.

Komentatorët politikë kanë krahasuar shpesh zotin Modi me zotin Singh dhe në disa raste ia atribuojnë rritjen e popullaritetit të zotit Modi dallimeve që ekzistojnë mes tij dhe zotit Singh. Zoti Modi shihet si udhëheqës i fortë dhe me bindje, zoti Singh shihet si i dobët dhe joefektiv. Ndërkohë që Modi ka zhvilluar kontakte të vazhdueshme me zgjedhësit në takime publike, Manmohan Singh është i rezervuar në rolin e oratorit dhe kontaktet me publikun.

Por zoti Singh akuzoi udhëheqësin e partisët BJP për trazirat anti-myslimane të vitit 2002 në shtetin e Guxharatit që administrohet nga zoti Modi, gjatë të cilave gjetën vdekjen mbi 1000 vetë.

"Nëse kur flitet për një kryeministër të fortë nënkuptohet një udhëheqës gjatë mandatit të të cilit masakrohen civilë të pafajshëm në rrugët e Ahmedabadit, nuk mendoj se vendi ka nevojë për këtë lloj force, aq më pak tek një kryeministër”.

Zoti Modi ka mohuar gjithmonë të ketë pasur lidhje me trazirat.

Manmohan Singh i doli në mbrojtje punës së tij si kryeministër duke thënë se historia do ta shohë më pozitivisht rolin e tij se sa media apo opozita.

Mandati i tij i dytë është njollosur nga një seri skandalesh për korrupsion dhe kritikash se nuk ka bërë sa duhet për të luftuar mit-marrjen. Ritmet e ngadalta ekonomike dhe rritja e madhe e çmimeve të ushqimit kanë dëmtuar popullaritetin e qeverisë. Sipas analistëve këto ishin faktorët që sollën humbjen dërrmuese të Partisë së Kongresit në zgjedhjet e fundit lokale.

Udhëheqësi indian rrallë herë bën komente për median. Kjo është konferenca e tij e parë për shtyp që nga viti 2010.
XS
SM
MD
LG