Lidhje

Sinhua, reklamë në sheshin Times Square të Nju Jorkut


Sinhua, reklamë në sheshin Times Square të Nju Jorkut
Sinhua, reklamë në sheshin Times Square të Nju Jorkut

Agjencia shtetërore e lajmeve të Kinës, XINHUA ka vendosur reklamën e saj krahas kompanive më të mëdha që reklamojnë produktet e tyre në sheshin Tajms Skuare të Nju Jorkut. Vendosja e kësaj reklame në zemër të ekonomisë kapitaliste amerikane krahas emrave të mëdhenj të produketeve vendase si Koka Kola apo McDonald’s, shihet si një akt simbolik i cili do të përçojë fuqinë e Kinës së re.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara përpiqeshin që të mbyllnin problemin e tavanit të borxhit, një prej huadhënësve më të mëdhenj të tyre, reklamohej në një prej vendeve më të famshme të Nju Jorkut.

Në një ditë në Sheshin Tajms Skuer kalojnë rreth gjysëm milioni njerëz, dhe ata kanë mundësinë të shohin reklamën e agjencisë shtetërore të lajmeve të Kinës, XINHUA.

Kjo reklamë qëndron në krah të dy prej emrave më të njohur në botë, Koka - Kola dhe Samsung.

Kompani nga Japonia dhe Koreja e Jugut kanë konkurruar me kompanitë amerikane për një kohë të gjatë për të reklamuar produktet e tyre në vendin e quajtur “udhëkryqi i Botës” në sheshin Tajms Skuer në Nju Jork, por pa arritur që ta realizonin një gjë të tillë.

Agjencia e lajmeve Xinhua e vendosi reklamën e saj në datën1 gusht, duke realizuar kështu lëvizjen më të fortë të një kompanie kineze në tregun e reklamave.

Kjo agjenci ka vite që është në tregun amerikan, por së fundi kanalet e trasnmetimit 24 orë në anglisht si dhe reklama në Tamjs Skuer duket se po rrisin ndjeshëm praninë dhe popullaritetin e saj.

Gary Singer, ka 30 vjet që merret me tregun botëror të reklamave dhe thotë:

“Duhet të paguash shumë para për të vendosur reklamën në Tajms Skuer dhe kjo nuk bëhet thjesht për arsye buxhetore apo të ardhurash. Rëndësia e vendosjes së një reklame të tillë është ndikimi që ajo ka tek njerëzit. Përmes një reklamimi të tillë, njerëzit jo vetëm mendojnë se produkti i reklamuar është i fuqishëm, ata e ndjejnë dhe kuptojnë fuqinë e tij”.

Kompani të tjera kineze mund të kenë vendosur reklamat e tyre pranë Tajms Squerit më parë, por XINHUA është e para që vendos një reklamë të tillë në qendër të tij.

Sherud Autdor është kompania që ndërmjetëson marrjen me qera të hapsirave për reklama në Tamjs Skuer, duke përfshirë dhe reklamën e agjencisë XINHUA. Presidenti i kësaj kompanie Brajan Tërns thotë se vendosja e reklamave në Tajms Skuer është kaq e vlefshme, sa ka shumë kompani që nuk e lëvizin më reklamën nga ky vend për vite me rradhë. Ai sjell shembullin e Koka Kolës që ka të njëjtin vend reklamimi për 70 vjet radhazi:

“Përgjithësisht kontratat për vendin e reklamës janë afatgjata. Ato nënshkruhen zakonisht për 10 vjet. Por kur pronarët sigurohen se vendi i reklamimit është funksional, atëherë ata nuk duan ta lëvizin atë. Tipike e kësaj është kompania Koka-Kola e cila reklamohet në të njëjtin vend që nga viti 1932”.

Xinhua mori vendin e përdorur nga banka HSBC- e cila këtë javë njoftoi shkurtimin e 30 mijë vendeve të punës si pasojë e krizës financiare botërore.

Zoti Singer thotë se njerëzit që shohin reklamën lexojnë XINHUA termi i nënkuptuar është ‘Kina’, ekonomia me rritjen më të shpejtë në botë:


“Mendoj se njerëzit vijnë në sheshim Tajms Skuer të Nju Jorkut për të ndjerë forcën e Amerikës dhe të komercializmit. Për këtë arsye mendoj se XINHUA e ka vendosur veten enkas në qendër të këtij sheshi. Kjo është vazhdimi i asaj që Kina e nisi me lojrat olimpike. Ata shpenzuan shumë më tepër para se ç’duhej për këtë reklamë, për t’u njohur nga të gjithë si një fuqi botërore”.

Për turistët në sheshin Tajms Skuer kjo reklamë mund të duket një ndër të shumtat që mbushin muret rreth sheshit, por mesazhi i saj është i qartë - Kina ka arritur të dalë në skenën botërore dhe këtu do të qëndrojë.

XS
SM
MD
LG