Lidhje

Sinjale kundërthënëse rreth mbështetjes amerikane për luftën në Afganistan


Sinjale kundërthënëse rreth mbështetjes amerikane për luftën në Afganistan
Sinjale kundërthënëse rreth mbështetjes amerikane për luftën në Afganistan

Dhoma e Përfaqësuesve votoi me 321 vota pro dhe 93 kundër për tërheqjen e trupave amerikane deri në fund të këtij viti. Mirëpo një anketë e gazetës Washington Post dhe kanalit televiziv ABC News tregoi se 64 për qind e të intervistuarve nuk beson se lufta është e duhur. Ky është një ndryshim i madh nga fundi i vitit 2009, kur në të njëjtin sondazh shumica mbështeste luftën.

Ulja e mbështetjes së publikut ishte pikë kryesore e diskutimit këtë muaj në dy seanca dëgjimore në Kongres për luftën në Afganistan, ku dëshmoi edhe komandanti i forcave ndërkombëtare në Afganistan, gjenerali amerikan Dejvid Petreas, i cili dha hollësi rreth përparimit të forcave të NATO-s kundër talebanëve.

“Ndërsa përparimi në rrafshin e sigurisë që u arrit gjatë vitit të kaluar është i rëndësishëm, ai është i brishtë dhe i kthyeshëm.”

Kongresisti Ualtër Xhouns, republikan nga Karolina e Veriut, ka kritikuar për një kohë të gjatë përpjekjet e luftës afgane. Zoti Xhouns shqetësohet se qeveria afgane mund t’u kërkojë trupave amerikane të qëndrojnë edhe pas vitit 2014, data e caktuar për fundin e operacioneve luftarake të SHBA-së dhe NATO-s në Afganistan.

“15, 16, 17 vjet? Për hir të Zotit, deri kur mund të durojmë? Dhe për sa kohë do të japin, para dhe gjak?”

Gjenerali Petreas i tha përfaqësuesit Xhouns se e kupton që lufta është zvarritur për dhjetë vjet, por se trupat amerikane duhet ta kryejnë punën për t’i mohuar al-Kaidës mundësinë që të përdorë Afganistanin si një strehë të sigurt për të organizuar sulme kundër Shteteve e Bashkuara.

“Unë e kuptoj mosdurimin e popullit amerikan. Unë jam i padurueshëm. Por unë vetëm dua që ne të tërhiqemi nën kushtet e duhura, të arrijmë objektivat tona dhe gradualisht t’ua kalojmë detyrat homologëve tanë në Afganistan.

Mbështetja e publikut amerikan për luftën ka qenë në rënie për disa kohë, thotë eksperti politik Xhek Pitni.

“Modeli klasik në opinionin publik është që mbështetja për një luftë bie me kalimin e kohës dhe ndërsa shtohen viktimat, pikërisht çfarë po ndodh tani. Njerëzit dëgjojnë sesi amerikanët po vdesin në luftë, e megjithatë nuk i shohin shenjat vërtet konkrete dhe përparimin e dukshëm.”

Mbështetësit e luftës në Kongres janë në dijeni për anketën e kohëve të fundit, por thonë se nuk janë të alarmuar.

Senatori Xhozef Liberman është demokrat i pavarur nga Kenetikat. Ai thotë se është koha për të rindërtuar mbështetjen e publikut për Afganistanin.

“Nuk mund të merren vendime në lidhje me luftën dhe paqen në bazë të opinionit publik. Ne po korrim suksese në Afganistan dhe për këtë arsye unë mendoj se rënia e opinionit publik këtu në Shtetet e Bashkuara ka të bëjë më shumë me shqetësimet e kuptueshme të popullit amerikan me ekonominë, me vendet e punës, me deficitin. Në këtë aspekt, unë mendoj se ne duhet t’i rikujtojmë popullit amerikan se pse jemi në Afganistan, pse duhet të jemi atje dhe që jemi duke arritur suksese.”

Konflikti në Afganistan hyn në një fazë vendimtare këtë vit ndërsa Shtetet e Bashkuara përgatiten për të filluar tërheqjen e disa trupave më vonë sivjet, në varësi të kushteve të sigurisë në terren.

Leri Sabato drejton Qendrën për Politikë në Universitetin e Virxhinias.

“Anketat kanë dhënë rezultate të ndryshme, por nëse shikoni prirjen afatgjate është shumë e qartë se amerikanët janë bërë të pakënaqur disi me luftën në Afganistan, kryesisht sepse ka zgjatur shumë. Unë mendoj se publiku po përpiqet t’i japë Presidentit Obama shtytje në drejtim të tërheqjes së më shumë trupave kur të fillojë afati i tërheqjes në gusht.”

Sondazhet tregojnë se demokratët kanë prirjen të mbshtesin më pak përpjekjet e luftës se sa republikanët. Por kjo mund të ndryshojë. Guvernatori Hejlli Barbur i Misisipit, i cili po shqyrton mundësinë të kandidojë për president më 2012, po diskuton tani rreth përpjekjeve të luftës dhe ekspertët thonë se Afganistani mund të jetë çështje për diskutim në garën për zgjedhjen e kandidatit presidencial të Partisë Republikane vitin e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG