Lidhje

SHBA testojnë shkatërrimin e armëve siriane në det


Departamenti amerikan i Mbrojtjes po përgatitet të testojë një sistem që ka në plan të përdorë për të shkatërruar rezervat e armëve kimike të Sirisë në det. Zyrtarët e Pentagonit po japin siguri se operacioni i asgjësimit do të jetë pa rreziqe. Disa vende, duke përfshirë Shqipërinë, refuzuan ofertën për ta bërë asgjësimin e këtyre lëndëve në territorin e tyre.

Tani që lufta civile në Siri është në kulmin e saj, shkatërrimi i armëve të saj kimike brenda vendit është bërë i pamundur.

Prandaj SHBA po ofrojnë përvojën e grumbulluar gjatë shumë dekadave në shkatërrimin e arsenaleve të veta.

Në bordin e anijes Cape Ray, po ngarkohen pajisje për neutralizimin në det të gazeve sarin dhe mustardë.

Jennifer Elzea është zëdhënëse e Departamentit të Mbrojtjes.

"Ne kemi shkatërruar më shumë se 90 për qind të arsenalit tonë të armëve kimike nga koha e luftës së Ftohtë këtu në Shtetet e Bashkuara, dhe vazhdojmë ta bëjmë këtë me të njëjtën teknologji që kemi në plan të përdorim në anije për të shkatërruar armët kimike Sirisë," thotë zëdhënësja.

Procesi funksionon duke i neutralizuar kimikatet nga përzierja e tyre me ujë dhe me substanca të tjera. SHBA vendosën ta realizojnë procesin në det kur u bë e qartë se procedurat për t'iu përmbajtur rregullave të mbrojtjes së mjedisit dhe sigurisë në tokë do të kërkonin shumë kohë dhe si rrjedhojë do të shkeleshin afatet për asgjësimin e armëve.

Daryl Kimball kryeson Shoqatën për Kontrollin e Armëve, e cila është kundër armëve të shkatërrimit në masë.

"Një nga arsyet që ata po ndjekin alternativën e asgjësimit në det është se afatet tepër të ngutshme për heqjen dhe shkatërrimin e armëve kimike e bëjnë të vështirë për çdo vend që të marrë përsipër këtë detyrë," thotë zoti Kimball.

Zyrtarët thonë se procesi, edhe pse nuk është provuar asnjëherë në bordin e një anijeje, është i sigurtë. Ata thonë se vendimi për t'i neutralizuar lëndët kimike në det nuk është përpjekje për të anashkaluar rregullat mjedisore të ndonjë vendi.

Ende nuk dihet se ku do të përpunohen mbeturinat që do të dalin nga procesi i asgjësimit. Zyrtarët e OKB-së janë duke shqyrtuar oferta nga më shumë se 40 kompani në vende të ndryshme të industrializuara.

Eksperti Paul Walker i organizatës mjedisore Kryqi i Gjelbër, duke folur me Skype, tha se neutralizimi i armëve në det është një ide e mirë. Por ai bëri thirrje për kujdes në përpunimin e mbetjeve.

"Nëse i trajtojmë këto mbetje helmuese, kjo duhet bërë në një mënyrë shumë të sigurtë, në mbrojtje të plotë të mjedisit dhe shëndetit publik në mënyrë që askush të mos dëmtohet dhe as të mos ekzistojë perceptimi se po dëmtohet," thotë zoti Walker.

Zyrtarët e Pentagonit thonë se pasi armët të jenë neutralizuar, mbeturinat do të dërgohen në një objekt komercial në tokë për t'u përpunuar në të njëjtën mënyrë siç përpunohen edhe materialet e tjera të rrezikshme.

"Këto lëndë kimike do të depozitohen në anije. Asgjë nuk do të hidhet në oqean gjatë këtij procesi," thotë zëdhënësja e Pentagonit.

Inspektorët e OKB-së kanë identifikuar të paktën 20 ton gaz mustardë dhe më shumë se një mijë ton materiale që përdoren për të prodhuar sarin dhe armë të tjera që forcat siriane përdorën për të vrarë më shumë se një mijë civilë në fillim të këtij viti.

Sipas një marrëveshjeje që pasoi kërcënimet për veprime ushtarake amerikane kundër qeverisë siriane, të gjitha armët kimike duhet të largohen nga Siria deri më 31 dhjetor.
XS
SM
MD
LG