Lidhje

Nuk ka prova përfundimtare për armë kimike në Siri


Komisioni i Pavarur Hetimor Ndërkombëtar për Sirinë deklaroi se "nuk kishte gjetur prova përfundimtare lidhur me përdorimin e armëve kimike në Siri nga asnjëra palë e angazhuar në konflikt"

Një komision i Kombeve të Bashkuara, që po heton krimet e luftës në Siri, thotë se nuk ka gjetur prova përfundimtare lidhur me përdorimin e armëve kimike në konfliktin e atij vendi, duke u distancuar kështu nga pretendimi i një anëtareje, që citonte "dyshime të fuqishme dhe konkrete" se forcat rebele përdorën gazin sarin.

Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar për Hetime në Siri deklaroi sot se dëshironte të sqaronte se"nuk kishte gjetur prova përfundimtare lidhur me përdorimin e armëve kimike në Siri nga asnjëra palë e angazhuar në konflikt".

Kjo deklaratë pasoi pohimin e anëtares së panelit dhe ish prokurores për krimet e luftës, Carla Del Ponte, e cila i tha dje televizionit shtetëror zvicerian se sipas dëshmive nga viktimat dhe mjekët, luftëtarët e opozitës kanë përdorur gazin sarin.

Zonja Del Ponte tha se “ka dyshime të thella” se rebelët që kundërshtojnë presidentin Bashar al-Assad kanë përdorur armë kimike, por ajo shtoi se hetuesit nuk kanë ende prova të sigurta dhe paralajmëroi se hetimi është larg përfundimit. Ajo nuk dha hollësi se ku dhe kur mund të jenë përdorur armët kimike.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney tha se administrata Obama "është tepër skeptike" ndaj sugjerimeve se rebelët sirianë kanë përdorur armë kimike. Departamenti amerikan i Shtetit shtoi se pozicioni i Uashingtonit është se çdo përdorim i armëve kimike në Siri ka të ngjarë të jetë iniciuar nga qeveria e presidentit Bashar al-Assad.
XS
SM
MD
LG