Lidhje

Status i favorizuar për refugjatët sirianë në Egjipt


Më shumë se një milion sirianë i kanë shpëtuar konfliktit në vendin e tyre, duke kërkuar strehim në shtetet fqinje. Shumë prej tyre kanë shkuar në Egjipt, ku në një zonë vetëm pak kilometra në perëndim të Kajros është krijuar një "Siri e vogël".

Wael Mustafa u largua nga Siria vitin e kaluar me familjen, aftësinë e tij për të gatuar dhe fare pak gjëra të tjera.

Pas braktisjes së shtëpisë së tyre të shkatërruar në periferi të Damaskut, Waeli, gruaja e tij, fëmijët dhe prindërit e moshuar kaluan muaj duke kërkuar siguri në qytete të ndryshme të vendit. Por lufta i ndiqte gjithmonë nga pas. Prandaj, ata shkuan në Bejrut, e më pas në Kajro.

"Këtu filloj nga zeroja."

Ai është një prej njerëzve me fat.

"Sepse këtu çdo gjë është e lehtë. Marrëdhënia me njerëzit është e lehtë. Për të gjetur punë është e lehtë. Edhe për t’u transferuar këtu ishte e lehtë."

Waeli punon në një restorant në "Sirinë e vogël", një lagje në një qytet të shkretëtirës në perëndim të Kajros. Ai është një prej 140 mijë refugjatëve sirianë në Egjipt. Shumica e tyre janë kundër presidentit sirian Bashar al-Asad. Një nga dyqanet aty është "Furra e Revolucionit". Wael Mustafa i shmanget pyetjeve rreth politikës së konfliktit.

"Askush nuk e di se kush do të fitojë. Deri tani, askush nuk po fiton – të gjithë sirianët tani janë duke humbur."

Shumë refugjatë arrijnë vetëm të kalojnë kufirin, dhe gjejnë strehim në kampe në Jordani e vende të tjera fqinje, duke përbërë problem për vendet pritëse. Profesor Said Sadek thotë se, në rastin e refugjatëve në Egjipt, kjo nuk është e vërtetë.

"Ata nuk janë luftëtarë. Ata janë njerëz të klasës së mesme me të ardhura mesatare, të cilëve iu desh t’i shpëtonin mizorive dhe dhunës. Kjo është një shtëpi e dytë për ta."

Egjipti dhe Siria dikur ishin pjesë të Republikës së Bashkuar Arabe, dhe lidhjet familjare, kulturore dhe fetare si myslimanë suni janë të thella. Qeveria egjiptiane i trajton ata shumë ndryshe nga refugjatët që vijnë nga vende të tjera si Iraku, Sudani apo tokat palestineze.

Mohamed Dayri është përfaqësuesi rajonal për Komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, UNHCR.

"Falenderojmë Zotin që qeveria egjiptiane vendosi t’u japë atyre qasje në shkollat publike që nga shtatori i kaluar. Më parë, gjithashtu, lejuan që të gjithë sirianët në Egjipt të përdornin objektet e shëndetit publik."

Por disa shqetësohen se sa kohë mund të zgjasë ky vullnet i mirë, pasi Egjipti ka problemet e veta. Dhe me vazhdimin e konfliktit në Siri, refugjatët, përfshi Waelin , janë të pasigurt se kur mund të kthehen.
XS
SM
MD
LG