Lidhje

McCain, thirrje Kongresit të mbështesë Obamën për Sirinë


Dy senatorë me ndikim në Kongresin amerikan thanë të hënën mbrëma se Presidenti Obama po harton një plan serioz për të fuqizuar opozitën siriane dhe për të ndihmuar në rrëzimin e Bashar al-Assadit nga pushteti.

Senatorët John McCain dhe Lindsey Graham i bënë komentet për gazetarët pas një takimi me dyer të mbyllura mbi Sirinë me Presidentin Obama në Shtëpinë e Bardhë.

Senatori McCain tha se nëse Kongresi voton kundër propozimit të Presidentit Barack Obama për përdorimin e forcës ushtarake në Siri, kjo do të ishte me pasoja katastrofike.

"Nëse Kongresi e hedh poshtë një rezolutë të tillë, në një kohë kur Presidenti Obama ka shprehur angazhimin për të ndërmarrë veprime, pasojat do të ishin shkatërrimtare," tha senatori.

Senatori McCain, tha se ishte i inkurajuar nga takimi, por shtoi
se administratës i mbetet ende shumë për të bërë për të siguruar miratimin e rezolutës.

LIGJVËNËSIT, TË NDARË LIDHUR ME SIRINË

Ligjvënësit amerikanë thonë se janë larg arritjes së një qëndrimi unik lidhur me përgjigjen amerikane kundër qeverisë siriane. Dje ata bënë komente pasi u informuan nga zyrtarë të administratës Obama mbi situatën në Siri:

Kongresi nuk rifillon punimet deri më 9 shtator, kur mbaron sezoni i pushimeve. Por disa dhjetëra ligjvënës erdhën në Uashington për të marrë pjesë në sesionin e informimit në Kapitol, ku zyrtarë të administratës paraqitën argumentat e tyre për sulm ushtarak kundër Sirisë.

Më pas, disa ligjvënës thanë se ishin të bindur se regjimi sirian kishte përdorur armë kimike. Por ligjvënës si demokratja Janice Hahn u shprehën se ende ka pikëpyetje të shumta:

“A është kjo aryse për të hapur luftë? Cilat janë objektivat e luftës? Çfarë autoriteti po i japim Presidentit në këtë rast?”

Zonja Hahn thotë se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të veprojnë të vetme:

“Ku është komuniteti ndërkombëtar nëse sulmi me armë kimike është një akt aq revoltues, nëse ky është një akt i urryer për të gjithë?”

Ligjvënësi republikan Scott Rigell vlerësoi vendimin e Presidentit për të kërkuar miratimin e Kongresit, por tha se për momentin ai do të votojë kundër autorizimit:

“Përgjigja ime do të jetë “Jo” sepse ende e kam të paqartë se cili është synimi përfundimtar, çfarë misioni synojmë të përmbushim”.

Kishte edhe të tjerë, si ligjvënësi demokrat Sandy Levin, i cili mbështet ndërhyrjen ushtarake kundër Sirisë:

“Kam besim se anëtarët e Kongresit do të japin miratimin për veprim. Nëse nuk veprojmë, dërgojmë mesazhin e gabuar”, tha zoti Levin.

Të shtunën, Presidenti Barak Obama tha se nuk ka nevojë për leje nga Kongresi për të dhënë urdhër për sulm, por e mendon të vlefshëm mbështetjen e përfaqësuesve legjislativë në Kongres.

Para sesionit informues dje, Sekretari i Shtetit John Kerry dha intervista për rrjete të ndryshme televizive për të prezantuar të dhënat që kishte zbuluar administrata lidhur me sulmet kundër civilëve pranë Damaskut.

“Mostra flokësh dhe gjaku nga individë të ekipeve të ndihmës së shpejtë që shkuan të parët në skenën e ngjarjes në lindje të Damaskut, rezultuan pozitive për gjurmë gazi sarin”.

Në komentet për emisionin Fox News Sekretari i Shtetit i doli në mbrojtje vendimit të Presidentit Obama për të kërkuar miratimin e Kongresit për veprim.

“Nuk humbim gjë, vetëm fitojmë. Ajo që fitojmë është legjitimiteti i një përgjigjeje të njëzëshme të Kongresit; Presidenti dhe Kongresi me një përgjigje të përbashkët pasi procesi ynë demokratik ka funksionuar si duhet”.

Zoti Kerry tha se pasiviteti amerikan do të interpretohej sikur po lejohej të kalonte pa ndëshkuar një diktator i paskrupullt, i cili mund të vazhdojë të vrasë popullin e tij me gaz helmues.
XS
SM
MD
LG