Lidhje

Fati i të krishterëve në Siri


Të krishterët në Siri tmerrohen nga përshkallëzimi i fundamentalizmit radikal islamik mes rebelëve që luftojnë të përmbysin nga pushteti Presidentin Bashar al-Assad. Ata janë të shqetësuar se lufta civile në Siri mund të shkatërrojë krishtërimin në vendin e tyre. Por disa kritikë thonë se udhëheqësit e krishterë në Siri bënë një gabim fatal kur u vunë kundër kryengritjes. Jamie Dettmer njofton nga Bejruti.

Që prej ditëve të para të krishtërimit, të krishterët kanë jetuar dhe kanë ushtruar fenë e tyre në Siri, por lufta civile e dy vjetëve e gjysëm të fundit ka detyruar largimin e qindra mijërave nga shtëpitë e tyre, madje ata janë të shqetësuar lidhur me një eksod edhe më të madh.

Shqetësimi i tyre më i madh është fitorja eventuale e rebelëve. Ata theksojnë atë që ndodhi në Irakun fqinj, ku vrasjet sektare, persekutimi i të krishterëve dhe e kultura politike islamike në rritje, pas përmbysjes nga pushteti të Sadam Huseinit, detyruan largimin e më shumë se gjysmës së popullatës së krishterë të Irakut.

Xhihadistët dhe islamistët konservatorë mes rebelëve kanë vënë në shënjestër të krishterët në zonat e kontrolluara nga rebelët. Najla Chahda e agjencisë Caritas në ndihmë të katolikëve, thotë se shumë refugjatë të krishterë mbërrijnë në Liban të traumatizuar.

“Shumë prej tyre tregojnë histori të tmerrshme se disa fundamentalistë u kërkuan atyre të paguajnë qira në shuma që ata nuk i kishin dhe si rezultat ata i zuri frika dhe ikën”.

Histori të tjera përfshijnë konvertimin e detyruar në fenë islame dhe përdhosjen e kishave në këtë konflikt të rëndë sektar. Disa klerikë janë rrëmbyer, mes tyre edhe dy peshkopë, dhe në fshatrat e provincës Homs të krishterët janë detyruar të largohen nga shtëpitë dhe fermat e tyre.

Sulmet dhe rrëmbimet kanë shtuar tmerrin mes të krishterëve se çfarë do të ndodhte nëse kryengritësit fitojnë. Kjo frikë po ndihmon regjimin e Presidentit al-Assad, i përbërë kryesisht nga alavitët, pasues të një sekti të islamizmit Shia, që të ruajë mbështetjen e shumë të krishterëve. Shumica e rebelëve janë myslimanë Suni. Najla Chahda thotë se sirianët e krishterë janë ndjerë se nuk kanë pasur zgjedhje tjetër veçse të mbështesin Presidentin al-Assad.

“Të krishterët përbëjnë shumicën, që anon me regjimin sepse ata kanë frikë nga të tjerët. Ata nuk kanë alternativë tjetër”.

Më shumë se 450 mijë sirianë të krishterë janë larguar tashmë nga shtëpitë e tyre, ndërkohë që shumë të tjerë janë zhvendosur në zona të tjera të Sirisë. Rreth 25 mijë të tjerë kanë kërkuar strehim në Liban.
Para luftës civile, Siria kishte një popullatën të krishterë prej 2.5 milionësh. Pjesa më e madhe i përkasin kishës ortodokse greke, por ka edhe katolikë, të krishterë sirianë, protestantë dhe pasues të kishës asiriane të Lindjes.

Grupi më i madh politik i opozitës, Koalicioni Kombëtar Sirian, është përpjekur të qetësojë frikën që ekziston mes të krishterëve, megjithëse gjithnjë e më shumë pa sukses.

Por disa kritikë besojnë se udhëheqësit e krishterë të Sirisë janë pjesërisht përgjegjës për atë që po u ndodh pasuesve të tyre. Basem Shabb, i vetmi anëtar protestant në parlamentin e Libanit, thotë se të krishterët bënë një gabim strategjik kur mbajtën anën e Presidentit al-Assad.

“Fatkeqësisht, të krishterët e kanë lidhur fatin e tyre jo vetëm me regjimin sirian por me Bashar al-Assadin dhe kam frikë se ata do të kenë fatin e të krishterëve në Irak. Të krishterët në Irak u persekutuan jo sepse ata ishin të krishterë, por sepse mbështetën regjimin e Sadam Huseinit”.

Zoti Shabb beson se të krishterët duhet të ishin bashkuar me elementë më të moderuar islamikë në kryengritje, madje ai thotë se ata edhe tani mund ta bëjnë një gjë të tillë.

“Nuk mendoj se është tepër vonë, por kursi i tanishëm që tre patriarkët kryesorë po ndjekin është përcaktues për praninë afat- gjatë të krishterëve në Siri. Veçanërisht patriarku katolik ka qenë shumë pro regjimit dhe pro-Bashar al-Assadit”.

Mbështetja për Presidentin al-Assad nga patriarkët e Krishtërimit të Lindjes ka shkaktuar tensione me udhëehqësit kishtarë të Krishtërimit Perëndimor, të cilët kanë bërë thirrje për një qëndim më kritik. Për momentin, shumë njerëz thonë se fati në fund të fundit i të krishterëve në Siri është i pasigurtë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG