Lidhje

Shtohen refugjatët sirianë në Turqi


Pas luftimeve të ashpra gjatë fundjavës, refugjatë sirianë vazhduan edhe sot të kalojnë kufirin duke shkuar në vendin fqinj

Në Siri, forcat e sigurisë i kanë vazhduar edhe sot sulmet ndaj pozicioneve të kryengritësve në Aleppo, qyteti më i madh dhe kryeqendra tregtare e vendit. Organizata Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Londër tha se luftimet e sotme kanë qenë intensive. Pas luftimeve të ashpra të dy ditëve të fundit, në afërsi të kufirit me Turqinë, refugjatë sirianë vazhduan edhe sot të kalojnë kufirin për në vendin fqinj.

Një numër gjithnjë e më i madh refugjatësh po grumbullohen në kampin e Yayladagit, në krahinën Hatay të Turqisë, ndërkohë që përleshjet në Aleppo janë intensifikuar.
Refugjatë sirianë vazhduan edhe sot të kalojnë kufirin turk duke shkuar në vendin fqinj, pas luftimeve të ashpra gjatë fundjavës, mes forcave rebele dhe ushtrisë.

Aktivistët sirianë thonë se forcat e regjimit janë duke bombarduar lagjet e Aleppos, ndërsa të dyja palët kërkojnë të kenë kontrollin e qytetit kryesor, në veri të vendit.
Por gjendja në kampet e refugjatëve në Yayladagi ishte optimiste.

Abdul Menef, refugjat, thotë se 70 për qind e Aleppos është tashmë në duart e kryengritësve.

''Tani, ushtria e regjimit është në gjendje të mbrojë vetëm disa zona të rëndësishme në Siri. Ata mund të mbrojnë veten dhe asgjë më tepër."

Ndërkohë, agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA citoi një zyrtar të Aleppos të ketë thënë se trupat qeveritare do të vazhdojnë të ndjekin "terroristët", derisa qyteti të "spastrohet" nga grupet e armatosura.
XS
SM
MD
LG