Lidhje

Misioni vëzhgues i OKB-së në Siri mbetet i pezulluar


Shefi i paqeruajtësve të OKB-së tha se situata në Siri është tepër e rrezikshme që vëzhguesit e OKB-së të rifillojnë punën e tyre atje.

Diplomatët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së thanë se Herve Ladsous i tha këshillit se misioni vëzhgues do të mbetet i pezulluar në Siri për shkak të konfliktit në rritje. Ai shtoi se qeveria siriane gjithashtu refuzon të lejojë vëzhguesit të përdorin telefona satelitore, të cilët ai i quajti “vegla kryesore” të operacionit.

Është ende e paqartë se sa kohë do të zgjasë pezullimi.

Kreu i misionit vëzhgues të OKB-së në Siri, gjeneral-majori Robert Mood, i pezulloi operacionet më 16 qershor për shkak të rrezikut për sigurinë të 300 vëzhguesve në vend. OKB-ja ka thënë se sulmuesit kanë vënë në shënjestër ekipin e vëzhguesve disa herë gjatë javëve të fundit me armë zjarri dhe bomba.

Ndërkohë, kreu i Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut i tha Zërit të Amerikës përmes telefonit se përplasjet dhe goditjet me raketa në të gjithë vendin sot vranë 38 vetë, duke përfshirë edhe 21 trupa të qeverisë, dy dezertorë dhe 15 civilë dhe anëtarë të forcave rebele.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG