Lidhje

SHBA pezullon ndihmat joluftarake për kryengritësit sirianë


Shtetet e Bashkuara konfirmuan dje se kanë pezulluar ndihmat për kryengritësit pasi luftëtarë islamistë sulmuan magazinat që përdoren nga kryengritësit e Ushtrisë për Sirinë e Lirë.

Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit theksuan se ndihma humanitare do të vazhdojë, por janë pezulluar ndihmat e tjera jo luftarake.

Luftëtarët e Frontit Islamik, një organizatë që përfshin gjashtë grupe të rëndësishme kryengritëse, sulmuan bazat dhe depot e armëve të Ushtrisë për Sirinë e Lirë në zonën kufitare pranë Turqisë.

Sulmuesit që nuk kanë lidhje me Ushtrinë për Sirinë e Lirë, përpiqen të krijojnë një shtet islamik në Siri.

Zëdhënës të administratës amerikane thanë dje se Uashingtoni është i shqetësuar nga njoftimet për këto sulme dhe aktualisht po grumbullon informata dhe po këshillohet me Gjeneralin Idriss dhe të tjerë në Këshillin e Lartë Ushtarak për të bërë një inventar të pajisjeve dhe furnizimeve amerikane.

Zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest iu drejtua pyetja nëse pezullimi pasqyron humbje besimi tek aftësia e Ushtrisë për Sirinë e Lirë për të vazhduar betejën pa ndërhyrje ose përfshirje të elementit ekstremist iskamik.

Ai tha se ndihma amerikane ka për qëllim të mbështesë vetëm elementin e moderuar:

"Ajo që na intereson është të koordinojmë dhe të mbështesim elementët e moderuar të opozitës. Që në fillim jemi ndeshur me sfidën e identifikimit të elementit të moderuar dhe dërgimit të ndihmave që do të mundësonin tranzicionin që pasqyron vullnetin e popullit sirian. Që në fillim ky ka qenë një proces i vështirë dhe vazhdon të jetë i tillë”.

Edhe Britania ka pezulluar ndihmat jo-luftarake. Një zyrtar i Ushtrisë për Sirinë e Lirë u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë të shtyjnë vendimet deri kur të mësohen më shumë hollësi.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jen Psaki iu përgjigj pyetjes se për sa kohë do të vazhdojë pezullimi:

"Nuk dua të specifikoj ndonjë datë për pezullimin. Pa diskutim është në interesin tonë dhe të komunitetit ndërkombëtar për të rifilluar ndihmat, por duam që më parë të analizojmë rrethanat në terren dhe pastaj të marrim vendim”.

Zonja Psaki dhe zoti Earnest thanë se ndihmat humanitare nga organizatat ndërkombëtare dhe joqeveritare nuk do të ndikohen.

Senatori republikan John McCain shprehu shqetësim për zhvillimet e fundit:

"Eshtë një fakt që dëshmon realitetin në disa pjesë të Sirisë veriore, të cilat janë nën kontrollin e al-Nusras dhe grupeve të tjera ekstremiste islamike. Kjo ndikon në aftësinë tonë për të ndihmuar elementët e moderuar, Ushtrinë Siria e Lirë, të udhëhequr nga Gjenerali General Idriss. Ne nuk arritëm t’i ndihmojmë, ndërkohë që 5000 operativë të Hezbollahut u vendosën në zonë, ndërkohë që Rusia dërgonte furnizime të njëpasnjëshme për Asadin, dhe ndërkohë që Roja Revolucionare e Iranit ndodhet në terren”.

Senatori McCain thotë se ndihma nga jashtë i ka dhënë mundësi Presidentit Assad të rimarrë kontrollin e situatës nga kryengritësit.
XS
SM
MD
LG