Lidhje

Armët kimike në Siri tregojnë përshkallëzim


Presidenti Barack Obama thotë se Shtetet e Bashkuara kanë të dhëna se në Siri janë përdorur armë kimike, por duhen më shumë prova që ai të mund të japë urdhër për një përgjigje amerikane. Analistët thonë se nëse qeveria siriane ka përdorur armë të tilla, kjo do të ishte në përputhje me përshkallëzim gradual sulmesh kundër forcave kryengritëse gjatë luftës civile dyvjeçare.

Agjencitë amerikane të zbulimit besojnë se shanset janë që qeveria siriane të ketë përdorur agjentin nervor vdekjeprurës sarin. Por Presidenti Obama thotë se të dhënat nuk janë të mjaftueshme që Shtetet e Bashkuara të ndërmarrin veprime.

“Tani kemi të dhëna që brenda Sirisë janë përdorur armë kimike por nuk e dimë se si janë përdorur, kur dhe se kush i ka përdorur”.

Disa analistë besojnë se vetëm një numër i vogël armësh kanë aftësinë që të shmangin viktima në masë dhe është një vendim strategjik i presidentit sirian Bashar al-Assad. Joseph Holliday është ish-oficer zbulimi në ushtrinë amerikane dhe është tani një analist me përvojë në Institutin për Studimet e Luftës.

“Kështu kjo lëvizje e kujdesshme ka si synim që të garantojë që tp mos ketë një reagim të fortë, gjë që e lejon atë të intensifikojë përdorimin e këtyre armëve kimike në të ardhmen”.

Komandanti i Ushtrisë së Lirë Siriane, gjeneral Salim Idris tha në një letër drejtuar Presidentit Barack Obama se përdorimi i armëve kimike mund të jetë një prelud për një dislokim më të madh të armëve të tilla, si pjesë e strategjisë së asaj qeverie.

Përdorimi gradual i armëve kimike duket se përputhet me modelin e qeverisë së Assadit për shkallëzim ushtarak. Pasi përdori artileri të rëndë për të bombarduar qytetet nën kontrollin e kryengritësve, qeveria dislokoi helikopterë luftarakë dhe më pas avionë luftarakë sirianë. Ushtria siriane madje edhe ka qëlluar me raketa Scud në zona me popullsi të dendur.

“Mendoj se Assadi na ka sfiduar në shumë drejtime sepse nuk ka shumë alternativa për ndërhyrje ushtarake në Siri”.

Qeveria e Assadit fajëson për bombardimet e fundit në Damask terroristët, një përkufizim që zyrtarët e përdorin për luftëtarët kryengritës. Po ashtu ajo ka mohuar përdorimin e armëve kimike.

“Po të kishin prova, të dhëna, mjete të besueshme do t’ia kishin thënë Sekretarit të Përgjithshëm. Duhet ta ndajnë këtë informacion me ne”.

Analistët thonë se armët kimike janë pjesë e strategjisë së qeverisë për të detyruar civilët që të largohen nga zona nën kontrollin e rebelëve pa shkatërruar infrastrukturën, gjë që do të ndodhte nëse përdoreshin armë konvencionale.

Ata thonë se kjo metodë bën që kur kryengritësit marrin territor nën kontroll, ata humbin pjesën më të madhe të popullsisë.

“Mendoj se një e katërta e popullsisë siriane ose është zhvendosur brenda vendit, ose përtej kufijve ndërkombëtarë”.

Ushtria e Lirë Siriane po u kërkon Shteteve të Bashkuara të ndihmojnë Sirinë që të përmbysë qeverinë e Assadit dhe të elimnojë armët kimike.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG