Lidhje

Refugjatët sirianë përballen me vështirësi në kufirin libanez


Disa prej refugjatëve sirianë ndodhen në Liban për më shumë se një vit dhe është e vështirë të parashikohet se kur mund të kthehen në atdhe

Refugjatët sirianë në cepin verilindor të Libanit mund të dëgjojnë luftimet e ashpra matanë kufirit, ku disa prej familiarëve të tyre vazhdojnë të luftojnë, madje edhe të vdesin në revoltën kundër Bashar al-Assad. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Al Pessin vizitoi luginën Wadi Khaled, ku refugjatët jetojnë në kushte shumë të vështira dhe mbështeten tek ndihmat e agjencive të ndryshme për të mbijetuar.

Burrat përpiqen të marrin një miratim për kartat e racioneve të tyre dhe për ta kjo do të thotë nëse ata do të ushqejnë familjet e tyre apo jo. Këtu refugjatët mbështesin revolucionin sirian, pasi u kanë shpëtuar bombardimit të fshatrave të tyre nga forcat qeveritare.

Ushqimet e dhuruara përbëjnë mbijetesën e tyre. Vullnetarët në një xhami japin racionet ushqimore, ndërsa secili refugjat mbërrin tek dera, megjithatë racioni nuk është i mjaftueshëm.

Një17 vjeçare kishte ëndërruar të bëhej llogaritare. Tani ajo mbledh bukë për 18 pjesëtarët e familjes së saj.

"Nëna nuk më lejon të punoj por unë mendoj se duhet të kërkoj punë për të mbështetur motrat dhe vëllezërin e mi. Kam nevojë të punoj dhe kam detyrimin që të fitoj të ardhura për familjen time".

Matanë kufirit në Libanin verior fare qartë mund të shikosh tymin që ngrihet mbi fshatrat nga ku këta refugjatë ikën.

Njerëzit në këtë qendër refugjatësh me çadra janë të sigurtë nga dhuna, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet rreth disa prej të afërmve të tyre. Kjo grua ka humbur 3 djem, që luftonin me Ushtrinë Çlirimtare Siriane.

"Si mund të ndjehem? Nuk ndjej asgjë. Humba shtëpinë, humba djemtë dhe tani nuk kam asgjë. Vetëm i kërkoj Zotit që të më japë durim dhe forcë për të mbijetuar".

Ajo jeton në një dhomë si kjo me disa gra të tjera dhe fëmijët e tyre. Ryma elektrike herë herë ndërpritet dhe dhjetra njerëz përdorin vetëm një tualet.

Siria është fare afër disa lagjeve të këtushme. Familja në këtë shtëpi ka strehuar 27 vjeçarin Khaled Daor, i cili luftonte me kryengritësit deri sa humbi pjesë të dorës së djathtë nga një shpërthim.

"Vendi im është në gjendje të rëndë. Ai po bombardohet çdo ditë. Si mund të shprehem? Përjetoj një stres të madh, jeta është shumë e vështirë".

Refugjatët në Wadi Khaled morën ndihmë mjeksore nga qeveria libaneze për një farë kohe. Ekonomia e luginës është në gjendje të rëndë, pasi lufta thuajse ka bllokuar tregëtinë ndërkufitare. Madje këshilli lokal nuk ka burime për të ndihmuar, thotë zyrtari rajonal, Ali Al-Badawi.

"Për sa kohë që regjimi i al-Assadit të jetë në pushtet, ne nuk do të kemi të ardhme dhe situata jonë do të vazhdojë të jetë e rëndë".

Disa prej refugjatëve sirianë ndodhen në Liban për më shumë se një vit. Dhe me përparimet e kohëve të fundit të kryengritësve dhe kundër ofensivën e fortë të forcave qeveritare, është më e vështirë se kurrë më parë që të parashikohet se kur mund të kthehen ata në atdhe.
XS
SM
MD
LG