Lidhje

Mijëra refugjatë sirianë në pritje për t’u futur në Turqi


Refugjatët vendosen me ditë e javë të tëra në zonën kufitare në mes dy vendeve, në pritje që Turqia t’i lejojë të futen në vend

Mijëra sirianë jetojnë në kushte tepër të rënda në kampe provizore refugjatësh të ngritura përgjatë vijës ndarëse mes Sirisë dhe Turqisë. Shumë prej tyre presin për ditë, biles edhe javë të tëra që autoritetet turke t’i lejojnë të kalojnë në anën tjetër të kufirit për t’u shpëtuar luftimeve. Tri ditë më parë këtij grupi iu shtuan edhe dy binjakë, të lindur në zonën kufitare mes dy vendeve,

Binjakët kanë gjetur strehim në një mjedis që dikur shërbente si zyrë doganore dhe tani është modifikuar për të strehuar familjen. Pamja e foshnjeve të sapo-lindurit, Ahmed e Beyan në kushte të tilla jetese është sa prekëse, aq edhe shqetësuese për mirëqënien e kësaj popullate. Kampi është i mbushur me familje në kushte të ngjashme – fëmijë të vegjël, të kequshqyer, kushte të papërshtatshme sanitare dhe një e ardhme plotësisht e paqartë.

Nëna e binjakëve, 29-vjeçarja Fatima Abdullah ende nuk e ka marrë veten nga lindja e vështirë:

“Linda para tri ditësh dhe kam dy ditë që kam mbërritur në kamp”.

Fatima iku nga fshati i saj për t’u shpëtuar bombardimeve. Ajo shpjegon se nga tmerri që i shkaktuan predhat dhe mortajat i ka ikur qumështi dhe nuk mund t’i ushqejë vetë fëmijët. Fatima tregon se binjakët lindën në anën turke të kufirit, por një ditë më pas autoritetet i dëbuan dhe tani ajo së bashku me burrin, dy foshnjat dhe dy fëmijë të tjerë më të rritur, kanë mbetur të bllokuar në pritje për t’u futur përsëri në Turqi.

Sipas shifrave zyrtare afro 5 mijë civilë janë vendosur në zona kufitare. Disa prej tyre kanë ardhur këtu prej disa javësh në pritje për t’u futur në Turqi ku t’u shpëtojnë luftimeve. Agjencitë ndërkombëtare po përpiqen të shpërndajnë ndihma humanitare dhe ilaçe, por operacionet e tyre nuk përmbushin nevojat e shumta.

Rreth 200 mijë sirianë janë larguar nga vendi që nga fillimi i luftimeve 17 muaj më parë.
XS
SM
MD
LG