Lidhje

18 të vrarë në Siri


Observatori për të Drejtat e Njeriut njoftoi se një makinë bombë, që shpërtheu në provincën Idlib, kishte në shënjestër ushtarë sirianë

Aktivistë sirianë thonë se një makinë bombë vrau dje 18 njerëz në Sirinë veriore.

Observatori për të Drejtat e Njeriut me seli në Londër njoftoi se shpërthimi, që ndodhi në provincën Idlib kishte në shënjestër ushtarë sirianë.

I dërguari i ri i Kombeve të bashkuara dhe Lidhjes Arabe për Sirinë, Lakdar Brahimi, shkon sot në Damask për një takim me Presidentin Bashar al-Assad. Zoti Brahimi tha se objektivi i tij në Siri do të jetë i vështirë, por ai do të bëjë ç’është e mundur për të ndihmuar sa më shumë popullin sirian.

OKB-ja dhe Lidhja Arabe nuk kanë bërë përparim lidhur me arritjen e një armëpushimi në Siri si dhe për fillimin e bisedimeve mbi një qeveri kalimtare.

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton tha se bota është bllokuar lidhur me çështjen e Sirisë, madje ajo paralajmëroi për më shumë akte radikale dhe të dhunshme.

Zonja Ashton tha në Parlamentin Evropian se në Siri ekziston një ngecje e rrezikshme. Ajo tha se opozita është e shpërndarë dhe se nuk ekziston një alternative reale për regjimin e al-Assadit.

Luftimet 18 mujore mes forcave qeveritare dhe kryengritësve, që përpiqen të përmbysin qeverinë e Presidentit al-Assad, kanë shkaktuar rreth 20 mijë të vdekur, gati të gjithë civilë. Më shumë se 1 milion njerëz kanë ikur nga shtëpitë e tyre.
XS
SM
MD
LG