Lidhje

Mjekët pa Kufi: Sirianë me simptomat e sulmit kimik

  • Edward Yeranian

Organizata Mjekët Pa Kufi thotë se 3600 vetë në Siri janë mjekuar për simptoma të ngjashme me pasojat e një sulmi kimik. Organizata thotë se 355 vetë kanë gjetur vdekjen, por ajo nuk mund të konfirmojë kush e ndërmori sulmin. Lëvizja kryengritëse në Siri fajëson forcat qeveritare ndërsa qeveria fajëson kryengritësit.

Televizioni shtetëror sirian akuzoi forcat kryengritëse për ndërmarrjen e sulmit me armë kimike. Transmetimet e medias shtetërore thonë se armë kimike ishin zbuluar në tunele që kontrolloheshin nga forcat kryengritëse. Media qeveritare pretendon se kryengritësit i përdorën këto armë si mjeti i fundit që kishin në dispozicion, pasi ofensiva qeveritare i ka vënë nën presion.

Po në transmetimet e medias qeveritare shiheshin maska që media shtetërore thotë se ishin kapur në rajonin Joubar të kontrolluar nga kryengritësit.

Komandanti i Ushtrisë për Sirinë e Lirë Selim Idriss i hodhi poshtë akuzat. Ai tha se qeveria e ndërmori sulmin ndaj lagjeve periferike të kontrolluara nga kryengritësit në kundërpërgjigje për një tentativë për atentat ndaj Presidentit Bashar al-Assad në fund të Ramazanit:

Komandanti i kryengritësve thotë se Presidenti sirian Assad u takua me shefat e tij të sigurisë për të planifikuar një goditje me raketa pas sulmit të ndërmarrë ndaj autokolonës së Presidentit më 18 gusht. Ai pretendon se një nga gjeneralët e lartë të presidentit u plagos nga ai sulm.

Zoti Idris shprehet se Presidenti Assad kishte dhënë urdhër për një plan për sulm me armë kimike ndaj lagjeve periferike në lindje të Damaskut, pasi personat që kishin planifikuar atentatin kundër tij jetonin në atë zonë. Ai shton se ka prova të padiskutueshme se qeveria ishte autore e sulmit:

Ai përmend dy emra zyrtarësh të qeverisë që kishin hartuar planin, duke shtuar se sulmi ishte ndërmarrë nga Aeroporti Mazeh që kontrollohet nga qeveria. Ai shton se qeveritë e huaja kanë prova të padiskutueshme mbi autorët që kryen sulmin, falë fotografive satelitore.

Shefja e OKB-së për çarmatimin Angela Kane mbërriti në Damask disa orë para daljes së këtyre akuzave. Misioni i saj, sipas zyrtarëve të OKB-së është të bindë udhëheqësit sirianë të lejojnë inspektorët e armëve të vizitojnë vendin ku thuhet se u kryen sulmet.

Televizioni shtetëror sirian citon ministrin e informacionit Omran Zohbi sipas të cilit qeveria po bashkëpunonte nga afër me inspektorët e armëve. Presidenti Obama u ka kërkuar komandantëve të lartë ushtarakë të shqyrtojnë alternativa të mundshme ushtarake si reagim, nëse vërtetohet se janë kryer këto sulme.
XS
SM
MD
LG